Vendimi suprizë: Si do të hapen sekretet shtetërore

592
Vendimi surprizë i qeverisë: Si do të hapen sekretet shtetërore
Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën e trajtimit të informacionit nga institucionet. Çfarë ndodh me të dhënat e NATO-s e BE-së, roli i DSIK-së dhe kush vendos për deklasifikimin
Në kulmin e debatit politik për dhe hetimeve të prokurorisë për prodhimin e trafikimin e drogës, qeveria ka miratuar rregullat për hapjen e informacioneve të klasifikuara si “sekret shtetëror”. Nëpërmjet miratimit të një rregulloreje, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar mënyrën e trajtimit të informacionit “sekret shtetëror”, duke përcaktuar rregulla për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe institucionet e tjerë. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kritereve dhe i procedurave për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, në administrim të ministrive apo institucioneve shtetërore. Vendimi i qeverisë synon të përcaktojë rregullat për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komisionit për Deklasifikimin, Zhvlerësimin e Informacionit të Klasifikuar “sekret shtetëror” (KDZH), hartimin dhe administrimin e dokumentacionit gjatë procesit të deklasifikimit. Rregullorja do të jetë është e detyrueshme për t’u zbatuar nga ministritë dhe institucionet shtetërore, të cilat kanë në administrim informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, në letër ose në mediat e lëvizshme elektronike, të prodhuar prej tyre apo të përftuar nga institucionet e tjera.

Vetëm pak javë më parë, ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe disa deputetë i kërkuan Kreut aktual të Shtetit të deklasifikojë diskutimet e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku ishte trajtuar çështja e kanabisit. Në këtë mbledhje të vitit 2016 është raportuar edhe për një debat të ndezur mes kreut të SHISH-it, Visho Ajazi Lika dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Megjithatë, presidenti Meta vendosi ta refuzojë këtë kërkesë, duke argumentuar se krijohej një precedent që mund të dëmtonte në të ardhmen funksionimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. 

RREGULLORE PËR DEKLASIFIKIMIN DHE ZHVLERËSIMIN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR, “SEKRET SHTETËROR”
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i kritereve dhe i procedurave për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, në administrim të ministrive apo institucioneve shtetërore.

Neni 2
Objekti
1. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komisionit për Deklasifikimin, Zhvlerësimin e Informacionit të Klasifikuar “sekret shtetëror” (KDZH), hartimin dhe administrimin e dokumentacionit gjatë procesit të deklasifikimit.
2. Kjo rregullore është e detyrueshme për t’u zbatuar nga ministritë dhe institucionet shtetërore, të cilat kanë në administrim informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, në letër ose në mediat e lëvizshme elektronike, të prodhuar prej tyre apo të përftuar nga institucionet e tjera.

Neni 3
Përkufizime
Në zbatim të kësaj rregulloreje, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
1. “KDZH”, Komisioni i Deklasifikimit, Zhvlerësimit të Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror”, i krijuar me urdhër të titullarit të ministrisë apo të institucionit.
2. “Deklasifikim i plotë”, procesi i ndryshimit të autorizuar të statusit të informacionit, nga informacion i klasifikuar “sekret shtetëror” në informacion të paklasifikuar.
3. “Deklasifikim i pjesshëm”, procesi i ndryshimit të autorizuar të statusit të një pjese të informacionit të klasifikuar, nga informacion i klasifikuar “sekret shtetëror” në informacion të paklasifikuar.
4. “Zhvlerësim”, do të kuptojmë uljen e nivelit të klasifikimit nga një nivel më i lartë klasifikues në një nivel më të ulët klasifikues.
5. “ZIK”, Zyra e Informacionit të Klasifikuar në ministri apo institucion shtetëror, e ngarkuar për punën me informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, që administrohet sipas rregullave të veçanta.
6. “Media e lëvizshme”, pajisje elektronike ruajtëse e lëvizshme, si: CD, DVD, Floppy disc, shirit magnetik, që përdoret për ruajtjen e dokumentit tekst, video, audio apo imazh, e cila nuk ka kapacitet përpunimi (procesimi) të pavarur.

KREU II
KRITERET DHE KËRKESA PËR
DEKLASIFIKIM
Neni 4
Kriteret për deklasifikim
1. Informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror” në administrim të ministrive e institucioneve shtetërore mund t’i nënshtrohet procesit të deklasifikimit të plotë apo deklasifikimit të pjesshëm në rastet kur:
a) interesi apo nevoja për ta deklasifikuar diktohet nga interesa më të rëndësishme shtetërore sesa nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar; 
b) informacioni ka humbur vlerat dhe qëllimin për të cilin është klasifikuar;
c) ka mbaruar afati i ruajtjes së klasifikimit.
2. Për dokumentet që kanë hyrë dhe administrohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, para hyrjes në fuqi të ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, zbatohen kriteret dhe rregullat e përcaktuara në këtë rregullore.

Neni 5
Kërkesa për deklasifikim
Kërkesa për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” i drejtohet KDZH-së dhe mund të paraqitet nga:
a) fondkrijuesi;
b) fondruajtësi;
c) çdo punonjës apo strukturë e interesuar brenda ministrisë apo institucionit;
ç) çdo person fizik apo juridik.

Neni 6
Deklasifikimi i informacionit të huaj
1. Deklasifikimi i informacionit të klasifikuar të shteteve apo organizatave të tjera ndërkombëtare, i cili është përftuar në kuadër të një marrëveshjeje sigurie apo bashkëpunimi reciprok, të bëhet në përputhje me marrëveshjen apo protokollin teknik përkatës.
2. Në rastet kur KDZH-ja merr në shqyrtim për deklasifikim informacionin e klasifikuar të shtetit apo të organizatës ndërkombëtare, duhet të marrë miratimin paraprak të tij/saj.
3. Deklasifikimi i informacionit të klasifikuar të NATO-s bëhet në përputhje me marrëveshjen e lidhur midis palëve, dokumentin e politikës së sigurisë së NATO-s dhe direktivat mbështetëse të saj.
4. Deklasifikimi i informacionit të klasifikuar të Bashkimit Evropian bëhet në përputhje me marrëveshjen e lidhur midis palëve dhe direktivat e BE-së.

KREU III
KRIJIMI DHE FUNKSIONIMI I
KOMISIONEVE
Neni 7
Krijimi i KDZH-së
1. Në çdo ministri apo institucion shtetëror që administron informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, krijohet KDZH-ja.
2. KDZH-ja krijohet me urdhër të titullarit të ministrisë apo të institucionit.
3. KDZH-ja përbëhet nga jo më pak se 7 (shtatë) anëtarë. Numri i anëtarëve të KDZH-së duhet të jetë, gjithmonë, numër tek.
4. Anëtarët e KDZH-së duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie personeli të përshtatshme.
5. Në rast nevoje, pas marrjes së autorizimit nga titullari, i cili ka të drejtën e klasifikimit origjinal, titullari i strukturës së varësisë, me urdhër, krijon KDZH-në, e cila funksionon sipas rregullave të kësaj rregulloreje.

Neni 8
Përbërja e KDZH-së
1. Kryetar i KDZH-së është titullari i ministrisë apo i institucionit shtetëror që ka në zotërim informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”. Ai drejton mbledhjet e KDZH-së.
2. Nënkryetar i KDZH-së është drejtuesi i ZIK/Drejtuesi i AQSH-së për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
3. Sekretar i KDZH-së caktohet fondruajtësi i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”.
4. Urdhri për krijimin e KDZH-së përmban funksionet sipas emërtesës.

Neni 9
Vendimmarrja
1. KDZH-ja merr vendim për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, të prodhuar nga vetë ministria apo institucioni. Përjashtimisht nga ky rregull është Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e cila administron dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror” përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””.
2. Në rastet kur KDZH-ja merr në shqyrtim për deklasifikim informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, të ardhur nga një ministri apo institucion tjetër shtetëror, i kërkon atij pjesëmarrjen e një përfaqësuesi. 
3. Gjatë procesit të marrjes në shqyrtim për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” që nuk i përket ministrisë apo institucionit, përfaqësuesi i institucionit të ftuar ka të drejtë të konsultohet me dokumentacionin e marrë në shqyrtim brenda 20 ditëve kalendarike. Afati fillon nga data e marrjes dijeni nga përfaqësuesi i institucionit.
4. Në rast se institucioni i origjinës shprehet kundër deklasifikimit të tij, KDZH-ja nuk duhet ta deklasifikojë dhe/ose zhvlerësojë informacionin e ardhur nga ai.
5. KDZH-ja mblidhet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve dhe merr vendim me shumicën e anëtarëve të pranishëm.
6. Çdo anëtar i KDZH-së ka të drejtën e votes pro ose kundër.
7. Anëtari i cili voton kundër duhet të paraqesë me shkrim arsyet e votimit kundër.
8. Në përfundim të shqyrtimit të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, të relatuar për deklasifikim, KDZH-ja vendos:
a) deklasifikimin e plotë ose deklasifikimin e pjesshëm të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”;
b) përjashtimin nga deklasifikimi të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”;
c) zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, duke përcaktuar edhe afatin e ri të ruajtjes së klasifikimit.
9. Informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”, i përjashtuar nga deklasifikimi, i nënshtrohet rishikimit sistematik për deklasifikim.

Neni 10
Relacioni
1. Sekretari i KDZH-së studion informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror” që ndodhen në ZIK, arkivat e ministrive/institucioneve shtetërore ose Arkivin Qendror Shtetëror dhe nëpërmjet një relacioni i propozon KDZH-së për deklasifikim ose zhvlerësim ato informacione që sipas kritereve të ligjit për informacionin e klasifikuar duhet të deklasifikohen ose zhvlerësohen.
2. Në relacion për secilin informacion të klasifikuar “sekret shtetëror” pasqyrohet fondi, struktura shtetërore që e ka prodhuar, emërtimi/lënda, numri i protokollit, data, viti, niveli i klasifikimit, përmbajtja e shkurtër dhe arsyet e propozimit për deklasifikim ose zhvlerësim.
3. Në rastin kur një ministri apo institucion shtetëror ka më shumë se një fondruajtës, secili prej tyre përgatit relacionin për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” që ka në administrim dhe ia paraqet KDZH-së.

Neni 11
Shqyrtimi i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” që nuk i përket institucionit 
1. Gjatë procesit të marrjes në shqyrtim për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” që nuk i përket ministrisë apo institucionit, KDZH-ja vepron, si më poshtë vijon:
a) Kur ekziston ministria/institucioni prodhues i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, ftohet të marrë pjesë në mbledhje një përfaqësues i tij.
b) Kur ministria/institucioni prodhues i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” nuk ekziston, ftohet të marrë pjesë në mbledhje një përfaqësues i ministrisë/institucionit që ka në fushën e përgjegjësisë veprimtarinë e institucionit të origjinës.
c) Kur nuk ekziston ministria/institucioni prodhues i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” dhe veprimtaria apo dokumentacioni i tij nuk i kanë kaluar asnjë institucioni tjetër shtetëror, ftohet të marrë pjesë një përfaqësues i një institucioni, fusha e veprimtarisë e të cilit është e ngjashme me fushën e veprimtarisë së fondkrijuesit.

Neni 12
Përmbajtja e vendimit
1. Në relacion për secilin informacion të klasifikuar “sekret shtetëror” pasqyrohet fondi, struktura shtetërore që e ka prodhuar, emërtimi/lënda, numri i protokollit, data, viti, niveli i klasifikimit, përmbajtja e shkurtër dhe arsyet e propozimit për deklasifikim ose zhvlerësim.
2. Vendimi hartohet nga sekretari i KDZH-së dhe firmoset nga të gjithë anëtarët e pranishëm.
3. Vendimi merret më shumicë të thjeshtë votash dhe është i vlefshëm kur kanë votuar me shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm.

Neni 13
Administrimi i dokumentacionit
1. Pas marrjes së vendimit nga KDZH-ja, sekretari i komisionit harton bibliografinë e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, të deklasifikuar plotësisht ose të deklasifikuar pjesërisht. Në bibliografi, për secilin informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, pasqyrohet fondi, struktura shtetërore që e ka prodhuar, emërtimi/lënda, numri i protokollit, data, viti, niveli i klasifikimit, përmbajtja e shkurtër dhe arsyet e propozimit për deklasifikim.
2. Njoftimi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” të deklasifikuar, zhvlerësuar i bëhet i njohur edhe ministrisë, apo institucionit shtetëror, të cilit i është përcjellë ky informacion.
3. Njoftimi për deklasifikimin ose zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” i bëhet e ditur institucionit të origjinës nga përfaqësuesi i tij në KDZH. Në këtë rast, institucioni i origjinës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga njoftimi, njofton ministrinë apo institucionin shtetëror, të cilit i është përcjellë ky informacion.

Neni 14
Shenjëzimi i dokumentit të deklasifikuar
1. Mbi çdo informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”, të deklasifikuar plotësisht, në kokën e tij vendoset vula me shënimin: “Deklasifikuar plotësisht me vendim të KDZH nr.__, dt.__.__.____.” .
2. Në rastet kur informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”, deklasifikohet pjesërisht, mbi informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, në kokën e tij vendoset vula me shënimin:
“Deklasifikuar pjesërisht me vendim të KDZH nr.__, dt.__.__.____.”.
3. Informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror” i deklasifikuar trajtohet si informacion i zakonshëm.

Neni 15
Zbatimi i vendimit
1. Pas marrjes së vendimit për deklasifikimin e plotë apo të pjesshëm të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, struktura e interesuar për deklasifikimin merr masat për zbatimin e vendimit.
2. Në rastet e deklasifikimit të pjesshëm të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, struktura e interesuar merr masat që pjesa e mbetur e klasifikuar të mbrohet me mënyra e metoda profesionale, të tilla që e bëjnë të pamundur ekspozimin e plotë apo të pjesshëm të tij.
3. Deklasifikimi i plotë apo i pjesshëm i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” pasqyrohet në të gjitha format e ruajtjes dhe administrimit të tij.

Neni 16
Detyrimi për publikim
1. Çdo ministri apo institucion shtetëror ka detyrimin të publikojë bibliografinë e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, të deklasifikuar plotësisht apo të deklasifikuar pjesërisht, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e vendimit të KDZH-së.
2. Publikimi bëhet në Fletoren Zyrtare, në faqen zyrtare të internetit të ministrisë apo të institucionit dhe me mënyra të tjera.
3. Një kopje e bibliografisë i dërgohet zyrtarisht DSIK-së.

Neni 17
Deklasifikimi i pjesshëm
1. Për të bërë deklasifikimin e pjesshëm të një informacioni të klasifikuar “sekret shtetëror”, veprohet në këtë mënyrë:
a) Fotokopjohet informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”. Mbi fotokopjen, me metoda profesionale, bëhen të palexueshëm paragrafët, pjesët të cilat nuk janë deklasifikuar. Pas këtij veprimi, fotokopja trajtohet si informacion i zakonshëm.
b) Mbi fotokopje vendoset shenjëzimi sipas pikës 1, të nenit 14, ndërsa mbi informacionin origjinal vendoset shenjëzimi sipas pikës 2, të nenit 14, të kësaj rregullore.

Neni 18
Deklasifikimi me mediat elektronike
1. Procesit të deklasifikimit të plotë ose të pjesshëm i nënshtrohet edhe informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”, i ruajtur në forma elektronike me anë të mediave të lëvizshme.
2. Deklasifikimi i plotë në mediat e lëvizshme bëhet në këtë mënyrë:
Në rastin kur deklasifikohen plotësisht të gjitha informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”, që ruhen në mediat e lëvizshme, mbi median e lëvizshme dhe mbi shkresën që e shoqëron këtë media vendoset shenjëzimi sipas pikës 1, të nenit 14, të kësaj rregulloreje.
3. Deklasifikimi i pjesshëm i informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, i ruajtur në mediat e lëvizshme bëhet në këtë mënyrë:
Krijohet një kopje e medias së lëvizshme, e cila përmban vetëm informacion të deklasifikuar, të shkëputur nga media e lëvizshme origjinale. Mbi median e lëvizshme origjinale vendoset shenjëzimi sipas pikës 2, të nenit 14, të kësaj rregulloreje, ndërsa mbi kopjen e krijuar nga origjinali, e cila përmban informacionin e deklasifikuar, vendoset vula ose shenjëzimi sipas pikës 1, të nenit 14, të kësaj rregulloreje.
Sigal