Vendimi për hapjen e negociatave në 2019 do të merret nga parlamenti i çdo vendi anëtari BE-së

494
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Moskryerja e Reformës në Drejtësi, mosndëshkimi i krimit dhe korrupsionit mbajtën PENG Integrimin e Shqipërisë

Kryeministri Rama kohë më parë i ishte drejtuar Evropës, se Qeveria e Shqipërisë i kishte kryer detyrat e veta për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një herë të dytë, kryeministri Rama u kërkoi vendeve të BE-së që Shqipërisë t’i hapnin negociatat edhe për shkak të rrezikut të madh që i kanoset Ballkanit nga rritja e influencës ruse, dhe, njëkohësisht, kryeministri Rama demonstroi praktikisht edhe afrim, edhe simpati ndaj Presidentit Erdogan, duke aluduar ndaj skepticizmit të udhëheqësve të shteteve të fuqishme të BE-së, se Shqipëria mund të ndjekë edhe një rrugë të kundër me Perëndimin, atë të Lindjes.

Mosndëshkimi i krimit dhe i korrupsionit

Jo rastësisht, kur Shqipëria ishte në kohën e pritjes së hapjes së negociatave, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzohet nga drejtësia italiane për bashkëpunim me trafikantët ndërkombëtarë të drogës në kohën që ishte në detyrë. Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi hetimet dhe në tetor 2017 kërkoi nga Kuvendi heqjen e mandatit si deputet, për të filluar zyrtarisht hetimet. Kuvendi me shumicë të thjeshtë, me votat e mazhorancës socialiste votoi kundër, duke i dhënë imunitet politik Tahirit. Muaj më vonë ministri i Brendshëm Xhafaj u akuzua nga Opozita se kishte favorizuar vëllanë e tij, të mos vuante dënimin në Itali, për dënimet e formës së prerë të gjykatave të Italisë, si anëtar i bandave kriminale. Opozita, madje, publikoi edhe fakte, ku Agron Xhafaj, vëllai i ministrit Xhafaj e kishte vazhduar aktivitetin e tij kriminal edhe në kohën e ushtrimit të detyrës si ministër i Brendshëm të të vëllait të vet, Fatmirit. Kryeministri Rama deklaroi publikisht se ministri i tij i Brendshëm Xhafaj nuk mbante asnjë lloj përgjegjësie morale dhe politike. Mirëpo deputetë gjermanë deklaruan më vonë, se ministri Xhafaj ka përgjegjësi dhe duhej të largohej. Reforma në drejtësi dështoi, duke e futur Gjyqësorin në kolaps, pasi Gjykata Kushtetuese është paralizuar, për shkak se kanë mbetur vetëm 3 anëtarë të saj, nuk janë ngritur institucionet e reja të Drejtësisë, sikurse KLGJ, KLP, KED etj, për shkak të vetingut, i cili zhvillohet me ritmet shumë të ngadalta.

Në këtë ndërkohë, në Shqipëri ndodhën ngjarje shumë të rënda, sikurse kapja e 613 kg kokainë në portin e Durrësit, si edhe hyrja në Shqipëri e 3.4 milionë eurove me makina, të ardhura këto nga aktivitete kriminale jashtë Shqipërisë, në vendet e BE-së dhe në Shqipëri do të bëhej pastrimi i parave, asgjësimi i laboratorit të prodhimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, prova këto se krimi i organizuar bashkëvepron edhe me zyrtarë shumë të lartë në qeverisje, por që kurrë nuk janë ndëshkuar.

Shumë herë janë publikuar fakte, prova, ku qeveria ka dhënë me dhjetëra koncesione pa asnjë lloj transparence, janë dhënë ato vetëm për klientë të caktuar pranë qeverisë, janë dhënë koncesione që nuk kanë bërë asnjë investim, por kanë përfituar vetëm fondet publike, janë dhënë me koncesion edhe shërbime publike, detyrim I shtetit, dhe janë publikuar edhe emra të përfituesve të këtyre koncesioneve, që janë deputetë, ose të ish-bizneseve të deputetëve të mazhorancës. Kujtojmë dhjetëra koncesione në Shëndetësi, ku buxheti i shtetit paguan mbi 100 milionë euro në vit, ndërkohë që në spitalet publike nuk ka ilaçet më të domosdoshme dhe materiale spitalore, dhe ka mungesa të theksuara për personelin e mjekëve dhe infermierëve.

JO-ja e Këshillit të Evropës dhe kushtëzimet për 2019-n

Dje ministrat e Jashtëm të vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian vendosën që Shqipërisë të mos i hapen negociatat. 3 shtete, Franca, Holanda dhe Danimarka votuan kundër. Mosluftimi i krimit dhe korrupsionit, moskryerja e reformës në Drejtësi, cenimi i Administratës Publike nga emërimet militante etj, ishin arsyet kryesore politike, që Shqipërisë iu mohua hapja e negociatave. Këshilli Evropian rikujton se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë në qershorin e 2019-s do t’i nënshtrohet përfundimit të procedurave kombëtare parlamentare (pra miratimit nga parlamentet e vendeve anëtare dhe mbështetjes nga Këshilli Evropian) dhe kjo më pas do vijohet nga konferenca e parë ndërqeveritare (akti simbolik i hapjes së negociatave në varësi nga progresi i bërë)”. Pra, në 2019-n është më vështirë procesi i hapjes së negociatave, pasi do të duhet që parlamenti i çdo vendi anëtar në BE të miratojë hapjen e negociatave, dhe jo, siç ishte deri sot, ku vendimmarrjen e merrte vetëm udhëheqësi, kryeministri dhe presidenti i çdo vendi anëtar i BE-së. Së dyti, deri në qershorin e 2019-s. do të ketë ndryshime të mëdha, qoftë në Parlamentin Evropian, ku në vitin tjetër do të kryhen zgjedhjet parlamentare të BE-së, por edhe në shumë shtete të BE-së do të zhvillohen zgjedhje parlamentare, sikurse Greqia, etj, ku do të ndryshojnë edhe raportet politike dhe, ndoshta do të jenë forca të reja politike, që do të kenë në dorë vendimmarrjen ndaj Shqipërisë, dhe nuk dihet aspak, nëse këto do të jenë po kaq dashamirëse, sa u treguan sot.