Vendimi për hapjen e 11 kutive nga KQZ, PD: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve

500
Sigal

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të KQZ-së për të hapur 11 kuti për zgjedhjet në Bashkinë Lezhë. Ivi Kaso në emër të PD-së, shkruan se ky është një marifet i ri që po bëhet për zgjedhjet e 30 qershorit.

Më tej Kaso shkruan se hapja e kutive nesër do jetë farsa e fundit që po bëhet për t’u hedhur hi sy njerzve.

“Nën shembullin e ndritur të “marifetit” me Idajet Beqirin, KQZ ka vendosur që nesër, në vijim të një kërkese ankimore për Bashkinë Lezhë, të hapë dhe të kontrollojë rregullshmërinë e procesit të 30 Qershorit vetëm për 11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s’ka patur manipulime. Qëllimi, jo fort i fshehur është që t’i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr bllof këtë skemë farsë “dorëzimi të kontrolluar” është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve!”, shkruan Kaso.

Sot në mbledhjet e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve është miratuar kërkesa e Eduart Ndocajt për të hapur 11 kuti për të cilat ka dyshime se ka parregullsi. KQZ tha se nëse do të ketë parregullsi do të nis dhe procedimi për komisionerët.