Vendimi i qeverisë: Ja trojet që legalizohen

410
Këshilli i Ministrave miratoi dje legalizimin e disa parcelave ndërtimore në 10 qarqet e vendit. Sipas vendimit të ekzekutivit janë plot 136 mijë e 502 metër katrorë troje që do të kalojnë në pronësi të ndërtuesve pa leje. Parcelat ndërtimore të cilat tashmë do të legalizohen janë në qarkun e Fierit, Beratit, Lezhës, Elbasanit, Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit, Vlorës por edhe Tiranës.
Vendimi
Me propozim të ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave ka ligjëruar dje legalizimin e parcelave ndërtimore në të 10 qarqet e vendit. Përkatësisht në qarkun e Fierit do të legalizohen 122 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 40 084 m². Në qarkun e Shkodër janë 34 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 10 466 m² që tashmë do të kalojnë në pronësi të ndërtuesve pa leje. Ndërkohë që në qarkun e Beratit do të legalizohet 4064 m2 truall i ndarë në 6 parcela ndërtimore. Në qarkun e Lezhës është 1 parcelë ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 357 m² e cila do të kalojë në pronësi të ndërtuesve pa leje ndërsa në qarkun e Elbasanit janë 3 parcela ndërtimore të tilla me sipërfaqe të përgjithshme trualli 405 m² që do të legalizohen. Përfitues legalizimesh do të ketë edhe në qarkun e Dibrës ku do të legalizohen 40 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 212 m². Edhe më e madhe është sipërfaqja e truallit në kryeqytet, e cila tashmë do të kalojë në pronësi të ndërtuesve pa leje. Sipas vendimit të djeshëm të ekzekutivit në qarkun e Tiranës do të legalizohen 118 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 29 512 m².
Në qarkun e Gjirokastrës do të legalizohen 24 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 7 597 m²; në qarkun e Kukësit, 84 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 22 262 m² ndërkohë që në qarkun e Vlorës tashmë do të privatizohen 29 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 543 m². Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesit e ndërtimeve pa leje. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme nuk duhet të kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim. Për kalimin e pronësisë por më tej edhe regjistrimin final të pronave duke marrë certifikatën e pronësisë është ngarkuar Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Pak kohë më parë hyri në fuqi edhe ligji i ri 62/2015, që përfshin në procesin e legalizimeve rreth 50.000 objekte, që ishin ndërtuar në periudhën janar 2009 – qershor 2014. Sipas këtij ligji ndërtuesit do të paguajnë truallin, ndërsa procesi është falas. Ndërsa personat që kanë ndërtuar në tokën e tyre do të përfitojnë lejet e legalizimit dhe më pas certifikatën e pronësisë pa asnjë kosto. “Në themel kemi të bëjmë me rreth 40-60 ndërtime të kryera pas janarit të vitit 2009 deri më sot, meqenëse ndryshimet e Kodit Penal të futura në fuqi në janar 2009 kishin dy parashikime e para, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë-shtet ose në tokë të të tretëve, dhe e dyta, parashikonin dhe dënim me gjobë dhe dënim me burg për të tria kategoritë, për ata që ndërtonin në tokë të tyre, tokështet ose në tokë të të tretëve.
Kjo kategori mbeti në njëfarë mënyre e penalizuar, megjithëse nga pikëpamja morale ishte e njëkohshme me kategoritë e tjera, por për shkak të këtij freni ligjor nuk mund të përfshihej në proces. Duke marrë parasysh faktin e informacionit të dalë publikisht nga komisionet, të ekzistencës së vullnetit të deputetëve për të bërë një amnisti për një kategori të tyre, gjykuam që ishte momenti për t’i bashkuar të dyja gjërat dhe për ta zgjidhur përfundimisht këtë kategori”, ka deklaruar, më herët, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame. Duke iu referuar shifrave zyrtare të institucionit, ALUZINI ka hyrë në 112 mijë shtëpi shqiptare, për të kryer procedurat e legalizimit, duke biseduar me qytetarët.
Reformat
Bashkitë e reja, miratohet fondi tranzitor dhe pagat për administratorët
Qeveria miratoi dje shpërndarjen e fondit transitor për zbatimin e reformës administrativo-territoriale. Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave janë rreth 1. 8 milionë lekë që do të ndahen për 61 bashkitë e reja. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit “Për miratimin e buxhetit të vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave vendosi shpërndarjen e fondit tranzitor në vlerën 1 857 683 000 lekë, për zbatimin e reformës së re administrativo-territoriale, për 61 bashkitë. Ky fond të përballohet nga fondi për zbatimin e reformës së re administrativoterritoriale, miratuar për vitin 2015”, – thuhet në vendimin e ekzekutivit ndërkohë që është ngarkuar Ministria e Financave dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore për zbatimin e këtij vendimi. Po dje qeveria ka miratuar dhe strukturën dhe kufijtë e pagave për administratorët e njësive administrative. Sipas ndarjes së re territoriale do të jenë plot 323 administratorë të cilët pritet të emërohen nga 61 kryetarët e rinj të bashkive për çdo ish-komunë apo ish-njësi bashkiake siç është rasti i kryeqytetit. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondet e miratuara për njësitë e qeverisjes vendore për vitin 2015 dhe fillojnë nga data e fillimit të marrëdhënieve financiare të administratorëve, sipas akteve të emërimit të tyre në detyrë.
Sigal