Vendimi i Presidentit, Pollo: Rama e Kuvendi duhet të presin shpalljen e opinionit të Venecias për Kodin

256
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo ka reaguar lidhur me aktin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për rikthimin në Kuvend të Kodit Zgjedhor të miratuar në mënyrë të njëanshme nga socialistët e drejtuar nga Edi Rama.

Përmes rrjeteve sociale ku ripublikon dhe argumentet për këtë vendim të tij, Pollo shprehet se relacioni arsyetues  informon edhe se Presidenti i kërkoi këtë javë Komisionit të Venecias një opinion për Amendamentin “Rama”.

Dhe si i tillë, Pollo shprehet se Rama e Kuvendi duhet të presin shpalljen e opinionit të Komisionit të Venecias e të mos votojnë dekretin deri në atë moment.

“Presidenti Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Amendamentit Rama në Kodin Zgjedhor. Relacioni arsyetues  informon edhe se Presidenti i kërkoi këtë javë Komisionit të Venecias një opinion për Amendamentin Rama.

Ka një rregull të artë që kur një ligj  merret në shqyrtim nga Venecia atëhere shteti kërkues pezullon hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Rama e Kuvendi duhet të presin shpalljen e opinionit të Komisionit të Venecias e të mos votojnë dekretin deri në atë moment. Mazhoranca e opozita duhet të shpallin se do të pranojnë e do të zbatojnë këtë opinion”, shprehet ish-deputeti demokrat, Genc Pollo.