Vendi në mjerim, zyrtarët në luks/ Peleshi tallava me tender 700 mijë euro për aktivitete artistike! Ministrja Ibrahimaj: Rritja e çmimeve varfëron qytetarët

139
Sigal

Në një kohë që krerët e shtetit shqiptar kanë deklaruar se janë në “luftë” me Iranin dhe Rusinë, ku nevojitet një mobilizim nga të gjithë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka hapur një tender për … aktivitete artistike! Një çmenduri në këto kohë, pasi ata që po mobilizohen janë taksapaguesit, të cilët për shkak të “luftës” imagjinare të qeverisë, po shikojnë dita-ditës që po u rriten çmimet. Por, përveç çmimeve të shportës së përditshme, në 1 tetor do të ketë rritje edhe energjia elektrike. Por, a kanë krizë insitucionet shtetërore, ato të cilat duhet të menaxhojnë financat publike, të cilat me rritjen e çmimeve po shtohen në buxhetin e shtetit, por po varfërojnë buxhetin e familjeve?! Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep Niko Peleshi, ministri jonë i Mbrojtjes! Në këtë kohë krize, Peleshi gjen mundësinë që të shpenzojë plot 700 mijë euro për aktivitete artistike. Sipas dokumenteve që disponon BoldNeës.al, Ministria e Mbrojtjes ka hapur një tender me objekt “shërbimet e nevojshme për realizimin e aktiviteteve artistike, sportive si dhe aktiviteteve me tematika të ndryshme që organizohen nga strukturat e varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHPFA”. Por, z.Peleshi, a nuk ka Ansambël Ushtria?! A nuk mund të organizojnë një shfaqje ky Ansambël apo ushtrime sportive të ushtarëve tanë? Përse ky tender, dhe pikërisht tani, kur vëmendja e të gjithëve është përqendruar te çmimet dhe “luftërat” imagjinare të shtetarëve tanë, të cilat po i përdorin për të rritur çmimet. Në dokumente thuhet se Peleshi ka akorduar një shumë prej 68.657.800 lekë. Një fond i konsiderueshëm, pasi bëhet fjalë vetëm për aktivitete artistike dhe sportive. Megjithatë, në dokumente shkruhet se këto para’ do të shkojnë për “shërbime të organizimit të eventeve kulturore” dhe “shërbime çlodhjeje, kulturore dhe sportive”. Madje, tenderi do të zhvillohet në muajin tetor, kur do të hyjë në fuqi edhe rritja e çmimit të energjisë. Po sikur këto para’ të shkojnë për rimbursime të familjeve me ndihmë ekonomike, atyre me shumë fëmijë, pensionistëve? Apo më shumë prioritet ka “tallavaja” e Peleshit se shtresat në nevojë!