Vendi në krizë , qeveria hap thesin për oligarkët

279
Sigal

Qeveria planifikon të paguaj 1.5 milion euro për paketën e tretë ndaj biznesit, ndërkohë që vetëm për lavanterinë e Vlorës i jep firmës tenderin 1.7 mln.euro pa konkurencë dhe tjetër kompanie të penalizuar, një fond prej 6.5 mln.euro për rrugën e vilave të miliarderve. Ministri Ahmetaj gënjeu për tarifat e inceneratorëve, Zoto fiton 7 herë më shumë ccfarë tha qeveria.

Shoqëria ‘Integrated’ e Klodian Zotos pritet të fitojë 7 herë më shumë se sa parashikimet e studimit të fizibilitetit për inceneratorin e Tiranës, i cili më pas u shndërrua në kontratë koncensionare.  Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se fitimi i kompanisë është 14.4 euro për ton dhe vlera e përpunimit për ton arrin në 40.6 euro, ndryshe nga çfarë pretendon qeveria. Qeveria shqiptare duket se ka përdorur laps me gomë, kur ka parashikuar zyrtarisht se kosto për përpunimin e mbetjeve në inceneratorin e Sharrës do të jetë vetëm 29 euro për ton. Në fakt, çmimi që autoritetet shqiptare do të paguajnë për biznesin e Klodian Zotos do të jetë të paktën 40 euro për ton mbeturina. Dhe kjo shifër e lartë nuk ka asnjë lidhje me kostot e ndërtimit apo operimit të inceneratorit dhe landfillit në përgjithësi. Kostoja është më e lartë pikërisht tek norma e fitimit të kompanisë ‘Integrated Technology Service’. Në studimin e fizibilitetit, është parashikuar që norma e fitimit e kompanisë private në 30 vitet e ardhshme do të jetë 2.9 euro për ton.

7  herë më shumë se sa parashikimet e studimit të fizibilitetit për inceneratorin e Tiranës, pritet të fitojë  Shoqëria ‘Integrated’ e Klodian Zotos

Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzione shumë të ndryshme. Sipas një auditimi të kryer në Drejtorinë e Koncensioneve pranë Ministrisë së Financave për vitin 2019, KLSH vlerëson se norma e fitimit e kompanisë së Zotos është 14.4 euro për ton. Pra, shoqëria ‘Integrated’ pritet të fitojë 7 herë më shumë se sa parashikimet e studimit të fizibilitetit, i cili më pas u shndërrua në kontratë koncensionare. E përkthyer në vlerë monetare, përfitimi i biznesit të Zotos do të jetë disa dhjetra milionë euro më tepër, duke i rënduar në mënyrë arbitrare taksave të qytetarëve shqiptarë. Po çfarë diferencash ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmjet kostove të parashikuara nga Qeveria dhe situatës reale? KLSH ka konstatuar se kostot e ndërtimit dhe operimit të inceneratorit të Sharrës, sipas shifrave të studimit të fizibilitetit, arrijnë në 430.6 milionë euro, aq sa ka parashikuar edhe Qeveria. Megjithatë, rreth 61 milionë euro është e pajustifikuar, sipas audituesve shtetërorë. Në Raportin Konfidencial, KLSH konstaton se në studimin e fizibilitetit ‘nuk ka argumentim për shpenzimet administrative në vlerën e 58.5 milionë eurove, për kostot për konsulencë në vlerën 2.1 milionë euro dhe për kostot e telekomunikacionit, në vlerën 507 mijë euro’. Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre dyshimet e forta se këto kosto të paargumentuara, që arrijnë në vlerën e 20 përqind të projektit, kanë ndikim të drejtëpërdrejtë mbi vërtetësinë e llogaritjeve të kryera për përcaktimin e tarifës së shërbimit. Por, pikëpyetja më e madhe në këtë ‘lojë shifrash’ duket se qëndron tek norma e fitimit për kompaninë e Zotos. Qeveria mbështet faktin se kostoja e përpunimit të mbetjeve në inceneratorin e Tiranës është 29 euro për ton, duke pasur një normë fitimi prej 2.9 euro për çdo njësi sasie. Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit, në bazë të përllogaritjeve të tij, vlerëson se fitimi i kompanisë është më i lartë, 14.4 euro për ton dhe vlerë e përpunimit për ton arrin në 40.6 euro. Procedurat e ndjekura për kontratën koncensionare për inceneratorin e Sharrës tashmë janë subjekt i hetimit të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, pas një kallëzimi të dorëzuar disa kohë më parë nga Partia Demokratike.