Vëllezërit e Muharrem Ramës dokumentohen duke blerë vota

477
Sigal

Gazeta telegraf/

Publikohet videoja e degjenerimit
të zgjedhjeve në Dibër

Partia Demokratike ka denoncuar
ditë më parë se eksponentë të mazhorancës po blejnë votat për kandidatin
Muharrem Rama në Dibër. Disa prova të tjera janë bërë dje publike nga emisioni
investigativ “Fiks Fare”, që tregojnë rastet e votimit familjar dhe pazaret që
bëhen për çmimin e votës, që varion nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të
vjetra. Bashkëpunëtorët e “Fiks Fare” shkuan në farmacinë e vëllait të Muharem
Ramës në Dibër, pasi kishin informacion se jepeshin lekë në këmbim të votës.
Gjatë bisedës, vëllai i kandidatit Rama i kërkon qytetarit listën e votuesve që
kishte me vete, ndërkohë që në ato momente, aty vjen dhe vëllai tjetër i
kandidatit, Nehat Rama. Pas një bisede të shkurtër me të dhe teksa shohin
listën, Nehat Rama i kërkon qytetarit që të kthehej pas 15 minutash. “Shkoni
tek radiologjia këtu, ose shkoni pini ndonjë kafe ku të doni e pastaj ecni, Të
bëjmë një konsultë, kush do ua japë. A mirë? Dhjetë minuta a një çerek ore,
mirë”, i drejtohet vëllai i kandidatit qytetarit të interesuar për para. Qytetari
kthehet pas 15 minutash, ku takon sërish Nehat Ramën, i cili i cakton një takim
për të nesërmen në mëngjes. “Do shkosh e takojsh Ilir Venecin, mirë atje do
shkojsh, do i thuash të çoj Nehati, mirë. Më çoi Nehati i thuaj. Ai të mbaron
punë mirë se ai e ka atë zonë”, shprehet vëllai i Muharrem Ramës. Qytetari
paraqitet një ditë më vonë dhe gjen një koleg të vëllait të kandidatit, i cili
i kishte thënë që të takonte një koordinator të PS-së. Qytetari u takua me
koordinatorin e PS-së në rrugë dhe i ka thënë që do e telefononte një person që
ka zonën. Gjatë bisedës telefonike, koordinatori është shprehur se nuk japin
para, por mund të bisedojnë për ndonjë vend pune pas zgjedhjeve. Por, veç
bisedave për blerjen e votës me shtabin elektoral dhe të afërmit e kandidatit, “Fiks
Fare” bisedoi edhe me banorë në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër. Ata u
treguan gazetarëve të emisionit investigativ se të dyja forcat politike kanë
ofruar para në këmbim të votës. Ata shpjegojnë se shumat janë të ndryshme, ku e
majta ofron euro, ndërsa e djathta lekë. “Familje shumë të varfra, ose pa
nivel, shiten për 10-20 mijë lekë të vjetra, ose një torbë miell”, rrëfen një
nga banorët e Sllovës. Një banor tjetër tregon se Partia Socialiste ka ofruar
edhe 5 mijë lekë të reja për votë. Nga ana tjetër, “Fiks Fare” solli edhe
atmosferën e ditës së zgjedhjeve, kur në disa raste në fshatra të Dibrës nuk
mungoi votimi kolektiv. Emisioni transmetoi disa raste në fshatrat Sllovë,
Rrënxë dhe Muhurr, ku 2-3 veta votojnë bashkë, ndërkohë që vëzhguesit thonë se
gruaja bën çfarë i thotë burri, duke e cilësuar këtë veprim si diçka të
zakonshme.