Veliaj tregon planin për Tiranën: Qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe rajon

465
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një interviste në Top Story ka folur lidhur me fushatën ku u shpreh se i ka bërë përshtypje hendeku i madh mes Tiranës rurale dhe asaj urbane, madje edhe mes vetë Tiranës informale dhe pjesës tjetër të qytetit. Ai shtoi se fakti që koalicioni do të ketë shumicën e nevojshme në këshillin e ri bashkiak për të marrë disa vendime të rëndësishme, që në të shkuarën janë penguar prej këtij këshilli, është mjaft pozitiv, ndërsa u ndal tek tri emergjencat e qytetit. 
“Ka një hendek shumë të madh mes Tiranës qytet dhe Tiranës fshat. Kemi një nivel ndryshe të theksuar shërbimesh në nivel lokal dhe qendror. Duhet të gjejmë një mënyrë për të zhdukur këtë hendek, mes pjesës rurale dhe asaj urbane në shërbime. Kemi një hendek brenda Tiranës urbane, mes Tiranës që po legalizohet ka një hendek të jashtëzakonshëm me Tiranën e vjetër. Tirana informale ka probleme të mëdha me kanalizimet, me rrugët, ujin e pijshëm. Roli i bashkisë për të çuar në një marzh më të shpejtë legalizimin dhe më pas rehabilitimin është jetik. Kemi një ide shumë të mirë të Tiranës që do administrojmë. Rekrutuam në mënyrë vullnetare 80 të rinj që arritën të identifikonin problemet e vogla dhe kemi sot një inventar me 4500 problematika të vogla. Sot kemi një bazë të dhënash që duhet ta kishte Bashkia e kryeqytetit.
Tirana është qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe rajon. Me gjasa do të kemi edhe një mobilizim të ushtrisë për këtë. Jemi në emergjencë civile sa i takon pastrimit. E dyta është transporti publik, i cili duhet adresuar menjëherë. Jemi në periudhën kur kanë përfunduar kontratat, ndërkohë që bashkia i rilidh duke vazhduar me ndarjen e vjetër. Sfida e tretë, na duhet që në një kohë rekord, të integrojmë në një administratë të përbashkët, ndërmarrje të përbashkët shumë shërbime që deri dje ofroheshin në mënyrë të fragmentarizuar. Do të kemi borxhe të padeklaruara, kontrata që janë lidhur me 10 përqind të shumës, ku 90 përqind duhet ta paguajë bashkia në të ardhmen, që besoj se do të kemi shumë. Një audit i mirëfilltë do ta tregojë këtë. Auditi do të bëjë një transparencë për buxhetin. Do të bëjmë një audit për të parë se ku janë shkeljet dhe ku është gabuar”, tha Veliaj.
Veliaj u ndal më pas tek financat dhe burimet kryesore të të ardhurave për bashkinë e drejtuar prej tij. Më tej ai premtoi se do të bëhet një audit për të verifikuar të gjitha lejet me probleme të dhëna në këto kohë, ndërsa tha se do të bllokohet ndërtimi në Digën e Liqenit dhe ai i nisur para pak ditësh me shembjen e një shtëpie që ishte pjesë e inventarit të monumenteve të kulturës.
“Duhet të realizojmë planin për mbledhjen e financave, por dhe të gjejmë burime alternative. E para janë kreditë ku duhet edhe sovraniteti i qeverisë. Kemi këtu për ujëjsjellës-kanalizimet 100 milion euro përmes një kredie të butë nga qeveria japoneze. Por një tjetër mënyrë janë edhe bonot e thesarit, apo bono qyteti dhe e treta, të forcojmë partneritetin publik dhe privat. Bashkia ka disa asete, ka prona që mund t’i vendosë në përdorim për biznesin, ku bashkia mund të jetë aksionere si koncesionare apo partnere me një privat. Do të ketë një kontroll të lejeve të kontestuara. Nuk kishte asgjë të paqartë në polemikën me Ministrinë e Kulturës. Instituti ishte pyetur para disa muajsh dhe në atë moment nuk ishte Monument Kulture, por u bë kur u ribë harta. Ata kishin përdorur një shkresë të vjetër të parinovuar. U shfrytëzua një letër e vjetër për të siguruar një leje. Këto leje nuk do të vazhdojnë më. Auditi që do të bëjmë do të tregojë që kemi anomali në të gjitha këto leje. Do hetohen të gjitha lejet dhe për herë të parë bashkia do jetë palë me qeverinë për të bllokuar këto leje. Nuk lidhet reputacioni i bashkisë me një bashki që vetëm jep leje ndërtimi. Gropat janë hapur, por ashtu siç hapen edhe mbyllen, s’ është problem. Sot leja Digës është pezulluar, jo vetëm punimet, ndërsa tek pjesa tjetër duket që leja është dhënë mbi një dokument të rremë”, u shpreh Veliaj.
Sigal