Veliaj: Situata me ujin e pijshëm, drejt përmirësimit

468
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen për shtrimin e linjës së ujësjellësit në rrugën “Naim Frashëri”, projekt që konsiston në rikonstruksionin e rrjetit ekzistues, si dhe linjave të rrjetit shpërndarës në rrugicat që takohen me këtë rrugë, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë.
“Ishim këtu para 2 javësh, duke u premtuar njerëzve që ka ose jo fushatë, ka ose jo pushime, në Bashkinë e Tiranës puna do të vijojë njësoj përditë. Sidomos në këto ditë të verës, ku ndihmohemi edhe prej faktit se disa nga banorët kryejnë pushimet e tyre”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se ka njw pwrmirwsim tw ndjeshwm tw furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet dhe se masat kanw dhwnw rezultat: “Lajmi i mirë është që situata me ujin e pijshëm është drejt përmirësimit. Jemi ndihmuar jashtë mase nga prerja e mijëra lidhjeve të paligjshme. I kërkoj qytetarëve që ta kursejnë ujin e pijshëm, pavarësisht se situata është përmirësuar. Uji i pijshëm sot është një mall, i cili vërtet në Tiranë ka koston më të lirë në treg, por gjithsesi është një mall që e ka një fund”.
Kryebashkiaku deklaroi se grupet e Task Forcës do të vijojnë punën në terren për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm dhe u kërkoi drejtuesve të Bashkisë Kamëz dhe Vorë që të tregohen bashkëpunues për të ndaluar rastet e abuzimit me ujin e pijshëm.
“Task-Forca për disiplinimin e ujit fokusohet kryesisht në zonat periferike, jashtë Bashkisë së Tiranës, në Babrru, në Paskuqan, në Kamëz. I kërkoj edhe kolegëve të bashkive të tjera, në Kamëz dhe në Vorë, që të kuptojnë se i kemi fatet e lidhura bashkë. Duke lejuar një vjedhje dhe një abuzim të rrjetit në bashkinë e tyre dhe duke lënë Tiranën pa ujë, nuk ndihmojnë, sepse njëherë tjetër do kenë ata nevojë për ujin e Tiranës, ku abuzimet nuk do ta mundësojnë”, tha Veliaj.
Sigal