Veliaj prezanton programin për fshatin: Projekte për fermat dhe bizneset

409
Kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj prezantoi në Pezë programin për fshatin. Në takimin me banorët e zonës ai u zotua se integrimi rrugor i zonave rurale dhe ndërlidhja me transport publik e të gjithë territorit të Bashkisë së re të Tiranës, janë dy nga prioritetet për fshatin. Veliaj bëri dy premtime për banorët, ndërtimin e dy rrugëve në Pezë, rrugën e Varoshit 2 km të gjatë dhe rrugën Pezë-Gjysulkonjë 4 km e gjatë. 
“Kjo fushatë nuk është për premtime fantastiko-shkencore, por për temat e thjeshta, për të cilat diskutohet në tavolinën e bukës të çdo qytetari. Ata flasin për gjëra konkrete, për shkollat, rrugët, tregjet etj, jo se çdo bëjë Saliu e Shkëlzeni. Po shkojmë në çdo njësi, fshat e qytet, që çdo njësi të ketë programin e vet konkret dhe çdo njeri të marrë vesh se ç’do ndodhë në lagjet e tyre. Po sjellim një projekt konkret për nevojat e çdo lagjeje, si një kostum që është qepur sipas masës së çdo njësie. Infrastruktura dhe kanalizimet janë problematikat më të mëdha në fshatrat e Pezës, ndërkohë që do të ofrohen incentiva për fermat dhe bizneset agrobujqësore. Në zonat rurale rreth e rrotull Tiranës, që tashmë janë pjesë e Bashkisë së re, ka nevojë për një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve, vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në të gjithë territorin”, tha Veliaj.
Ai premtoi edhe ngritjen e Qendrës së Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët dhe Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale, për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët. Veliaj tha se do të ndërtohen pika të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Veliaj tha se prioritet i bashkisë do të jetë edhe vendosja e argjinaturës në lagjen Çelje e Pezës së Vogël, që rrezikohet nga erozioni. 
10 pikat e programit për fshatin 

Integrimin rrugor të zonave rurale në territorin e Bashkisë së Tiranës; 
Ndërlidhje me transport publik të gjithë territorit; 
Rikonceptim i shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve; 
Vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në territorin e Bashkisë Tiranë; 
Ngrejmë Qendrën e Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët; 
Ngrejmë Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët; 
Ndërtim i pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP; 
Hartojmë një guidë të plotë turistike për atraksionet turistike; 
Vendosim linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike strategjike; 
Ofrojmë incentiva për fermat dhe bizneset agrobujqësore.
Sigal