Veliaj prezanton kontratën për sportin: Tirana ka nevojë për më shumë hapësira sportive

489
Kandidati i të majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të prezantimit të programit të tij për kryeqytetin, zhvilloi sot një takim me sportistë dhe atletë të kategorive të ndryshme, të cilëve iu foli për 11 pikat kontratës së tij për sportin. Veliaj tha se Tirana ka nevojë për terrene dhe palestra të rehabilituara në shkolla, për më shumë hapësira sportive nëpër lagje, krijimin e mbi 90 ambienteve të reja sportive, dyfishimin e hapësirave sportive për çdo 100.000 banorë, si dhe mbështetje për të gjitha klubet dhe shoqatat sportive, veçanërisht partneritet më të ngushtë me ekipin e futbollit të Tiranës.
Duke theksuar se kryebashkiaku aktual nuk mbajti asnjë premtim nga premtimet e bëra në 2011, Veliaj tha se Tirana ka sot jo më shumë se 10 ambiente sportive publike për 100,000 banorë dhe gjatë administrimit të Lulzim Bashës buxheti i Bashkisë për zhvillimin e rinisë dhe sporteve ka qenë vetëm 1%. “S’mund të flasim për sport kur nëpër shkolla nuk ka ngrohje dhe rrinë nxënësit në bankë me 2 apo tre veta. Të shkojmë në cdo lagje të shohim nëse janë zgjidhur gjërat bazike, pastaj të flasim për sport.
Më tej premtim tjetër i pambajtur i qeverisë së kaluar, sipas Veliajt ishte qendra funksionale sportive publike “Thoshte se do ndërtonte qendrën multi-funksionale sportive publike, por nuk e bëri, prandaj duhet ta grisim kontratën e vjetër të, të firmosim një të re”.
Veliaj tha se Bashkia do ndryshojë edhe skemën e financimit të klubeve sportive. Asi tha se klubi i Tiranës nuk do jetë i vetmi që do marrë fonde nga bashkia. “Bashkia e Tiranës nuk do jetë financuesi ekskluziv vetëm i klubit të Tiranës dhe këtë duhet ta fiksojmë mirë. Unë besoj që ajo që do i japim ne, do jetë më shumë se sa i jep sot Bashkia Tiranës. Të gjithë klubet do marrin një pjesë të kontributit…të gjithë tifozët paguajnë taksa”.
Kontrata me 11 pika për sportin:
1 Rehabilitim i terreneve dhe palestrave në gjitha shkollat e Tiranës.
2 Hapësira sportive në lagjet e Tiranës, si dhe në çdo njësi administrimi rurale, të cilat do shërbejnë edhe si hapësira të integrimit të komunitetit;
3 Partneritet i ngushtë me sportdashësit dhe ekipin e Tiranës;
4 Mbështetje për të gjitha klubet dhe shoqatat sportive që ushtrojnë aktivitet në territorin e bashkisë, në bazë të kritereve të qarta, transparente dhe objektive.
5 Në vitin e parë do të dyfishohet fondi për sportin në buxhetin e bashkisë. Deri në fund të mandatit do të trefishohet ky fond.
6 Dyfishimin e hapësirave sportive për çdo 100,000 banorë, brenda vitit të parë, duke aktivizuar ambientet e shkollat si qendra komunitare dhe duke i vënë ato plotësisht në shërbim të sportit.
7 Krijimin e minimumi 90 ambienteve të reja sportive në hapësirat e lira brenda pallateve.
8 Në fund të mandatit, krijimin e 40 ambienteve sportive për çdo 100,000 banorë.
9 Kalendar me aktivitete publike sportive masive, në bashkëpunim me Universitetin e Sportit.
10 Rikonstruksion i të gjitha ambienteve sportive në pronësi të Bashkisë.
11 Garantim i mundësive të barabarta për të gjitha moshat për t’u ushtruar në infrastrukturën publike ekzistuese dhe atë që do të ndërtohet.
Sigal