Veliaj paralajmëron kompanitë e transportit publik: Nisni punën ose do humbisni licencën

73

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i bëri thirrje kompanive të transportit publik urban për të rifilluar shërbimin dhe paralajmëroi ato kompani që nuk do të rinisin nga puna, do të humbasin licencën.

“Bashkia e Tiranës i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kompanive të autobusëve. Mund të vazhdojnë debatet me ministrinë, edhe unë dua të vazhdoj një diskutim me ministrinë sepse duhen subvencionuar studentët, duhen subvencionuar personat me aftësi të kufizuara, duhen subvencionuar veteranët; por, ky diskutim mund të vazhdojë fare mirë duke nisur punë. Unë do të jem avokati i tyre, por në momentin kur ata thonë: ‘O të gjitha, o rashë e vdiqa’, ju garantoj se disa kompani do humbasin licencën e transportit në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se nuk do të ketë asnjë tolerim për askënd që tenton të bllokojë qytetin.

“Kush i vë në dyshim këto që po them, le të kthehet te Astiri ose te Teatri dhe të shohin a e mbajmë apo jo. Ne jemi qytetarë sepse zgjedhim të flasim si qytetarë dhe të sillemi si qytetarë. Por, kur dikush bllokon rrugën dy vjet, kur dikush bllokon teatrin dhe e zapton tre vjet, kur dikush thotë: ‘Nuk dua ta nxjerr autobusin’, ndërkohë që kërkesat i plotësohen 100%, kjo është të mbash qytetin peng. Këtë qytet nuk e ka mbajtur sot peng askush në këto 5 vite dhe kjo është arsyeja pse ky është paralajmërimi i fundit. Nëse operatorët nuk dalin, fare mirë humbasin licencën, e cila do të hidhet në treg dhe vjen e merr një operator tjetër”, deklaroi Veliaj, duke shtuar se në këtë periudhë sakrificash të gjithë duhet të bëjnë maksimumin.