Veliaj në Vienë: Ja si do të jetë Tirana e gjeneratës tjetër

470
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë sot në Konferencën e organizuar nga OSBE në Vienë të Austrisë, me temë “Qytete të qëndrueshme: Promovimi i rritjes së qëndrueshme përmes qeverisjes së mirë dhe politikave të mjedisit”, ku edhe deklaroi se Tirana e gjeneratës tjetër do të jetë një qytet i gjelbër.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se qytetet mund të jenë motorët e rritjes ekonomike së një vendi, por edhe zhvilluese të standardeve për një jetë më të mirë për qytetarët.
“Po investojmë shumë në mbjellje pemësh dhe parqe rekreative, por gjithashtu edhe në transformimin e modelit të lëvizshmërisë, duke krijuar hapësira për transportin urban, biçikletat dhe këmbësorët. Këtë vit do të ndërtojmë 10 kilometër korsi për biçikletat, kurse Plani i ri Urbanistik parashikon dy kurora të gjelbra me pemë, kushtuar ekskluzivisht transportit publik dhe biçikletave”, tha ai, duke shtuar se në Tiranë janë marrë shumë vendime të guximshme, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në të ardhmen e qytetit.
Kryebashkiaku Veliaj tha se politikat që ka ndjekur Bashkia e Tiranës në vitin e fundit, e kanë bërë më të jetueshëm qytetin, përfshirë këtu edhe ato që lidhen me zvogëlimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë ajrit. Ai solli në vëmendje faktin se në Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar në fund të vitit të shkuar, është parashikuar mbjellja e dy milion pemëve.
“Ne punuam me arkitektin e njohur Stefano Boeri, i cili hodhi idenë e Pyllit Vertikal, duke ndërtuar rezidenca të cilat mund të kenë qëndrueshmëri nga ndryshimet klimatike. Menduam të përdorim të njëjtin koncept edhe për qytetet. Kështu, vendosëm që në Tiranë të ndërtojmë Pyllin Orbital, pra të mbjellin dy milion pemë, të cilat do ta rrethojnë qytetin si një rrip i gjelbër që i shton mushkërinë qytetit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës u ndal edhe te transformimi i transportit publik, duke bërë të mundur që më shumë se gjysma e njerëzve sot, të zgjedhin një autobusin kundrejt makinës private.
“Filluam disa nga reformat më transformuese në sistemin tonë të transportit publik, ku jo vetëm shtuam 50% të flotës së autobusëve, por zgjatëm edhe linjat. Tani me të njëjtin çmim mund të bësh 14km përgjatë qytetit. Kjo u dha mundësinë njerëzve të kuptojnë se nuk është një sakrilegj, se mund të ndryshojmë”, tha kreu i bashkisë.
Veliaj i njohu të pranishmit edhe me disa nga projektet madhore të Bashkisë së Tiranës, siç është sheshi “Skënderbej” dhe Pazari i Ri, të cilat kanë shtuar hapësirat pedonale duke ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit.
“Jo vetëm që vendosëm të krijojmë më shumë hapësira pa makina, por tani sapo kemi hapur Pazarin e Ri, një tjetër hapësirë e madhe, ku e kemi ndaluar lëvizjen e makinave e po shohim rezultatet e para. Vetëm në vitin e parë ndotja e ajrit është ulur me 15% sepse i dhamë qytetit mundësinë të marrë frymë”, përfundoi Veliaj.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin austriak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi edhe një takim me kryebashkiakun e Roterdamin, Ahmed Aboutaleb
Sigal