Veliaj në njësitë 7,9 dhe 11: Mos u anko, por voto për drejtimin e duhur

437
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj mbylli sot pasdite me anë të një mitingu fushatën elektorale për Njësitë 7, 9 dhe 11 në kryeqytet.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të votojnë, pasi edhe një votë e vetme bën diferencën.
“Edhe 6 ditë që të nisim punën për Tiranën tonë. Tirana është zemra jonë, e rrënuar këto 4 vjet. Tirana është historia jonë, e nëpërkëmbur këto 4 vjet. Tirana është e ardhmja jonë, do ta marrim në dorë. Këto ditë kemi takuar njerëz që janë të shqetësuar për Tiranën, që janë të zhgënjyer nga bashkia, që ndihen të tradhtuar. Miqtë e mi ka një lajm i mirë, ka ardhur koha jonë, ka ardhur ora jonë. Të dielën më 21 qershor, të gjithë bashkë”, deklaroi Veliaj.
Ai u bëri apel qytetarëve të mos ankohen për problemet me të cilat ndeshen çdo ditë, por të zgjedhin drejtimin e duhur.
“Një apel për të gjithë ata që janë të mërzitur e zhgënjyer këto 4 vjet: Nëse zgjohet çdo mëngjes dhe i gjen plehrat tek dera mos u anko, por voto drejtimin e duhur. Një votë bën diferencën. Mos u ankoni për problemet në qytetin tuaj por zgjidhni drejtimin e duhur. Sali Berisha dhe Lulzim Basha e kishin 4 vjet Tiranën, e pamë se çfarë ishin në gjendje të bënin. Ne nuk dorëzohemi do fitojmë”, tha kandidati i majtë për kryetar të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sigal