Veliaj në njësinë 11, banorët ankohen për mungesën e ujit dhe rrugët e amortizuara, pa ndriçim

399
Mungesa e ujit të pijshëm, kazanët e mbeturinave, terrenet sportive për fëmijët, ndriçimi i rrugëve apo kanalizimet, ishin disa nga shqetësimet që banorët e Njësisë 11 i shprehën kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Rakip Suli, u njoh më nga afër me problemet e zonës së Laprakës.
“S’kemi kazanë këtu, kurrkund. Plehrat i marrim me vete në krahë për t’i çuar në kazane të tjera shumë larg banesës”, shprehu shqetësimin e tij një banor. “Këto llambat kanë që në kohën e Edi Ramës që s’janë prekur me dorë. Janë djegur të gjitha, i kemi blerë vetë dhe i kam ndërruar unë. Po prapë u dogjën prapë, se aq mbajnë”, tha një tjetër.
Lidhur me këto shqetësime, Veliaj tha se situata do të ndryshojë pas 21 qershorit. Mandej, ai u ndesh edhe me banorë të cilët i shprehën ankesa për mungesën e ujit të pijshëm. Banorët e njësisë nr.11 u shprehën se janë të detyruar ta blejnë ujin sepse nuk kanë asnjë mundësi tjetër.
“Krejt lagja është lënë pas dore, duke filluar nga dritat, uji, rrugët. Bashkia s’ka ardhur asnjëherë të na shikojë. Uji ka dy vjet, gjysma e lagjes merr ujë, gjysma tjetër jo”, shprehu shqetësimin një tjetër banor, duke shtuar se edhe kanalizimet janë një tjetër problem i madh.
“Njerëzit në Bashki janë për të zgjidhur gjërat. Ti ke një bashki, paguan taksat dhe bashkia duhet të bëjë punën, kaq e thjeshtë është kjo histori”, deklaroi Veliaj.
Sigal