Veliaj ndal turin në njësinë nr.8: Mirënjohje motrave dhe vëllezërve nga ish-LSI dhe PD që i janë bashkuar PS-së

116
Sigal

Nga Njësia 8, teksa zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e zonës, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj tha se i vjen mirë që, çdo ditë e më shume, edhe kundërshtarët politikë po kuptojnë se Partia Socialiste është forca që i çon qytetarët përpara.

Ai u shprehu mirëseardhjen disa anëtarëve të LSI-së, të cilët iu bashkuan PS-së, sepse kuptuan se ajo lëvizje socialiste ishte një vegël e Sali Berishës dhe s’kishte asnjë ide për të çuar Shqipërinë përpara.

“Kjo është një njësi, e cila ka qenë tipikisht e djathtë, por pas një pune ndër vite, më në fund, Partia Socialiste është forca e parë në Njësinë 8, pas 3 zgjedhjeve të fundit. Është një transformim i jashtëzakonshëm. Ne ende nuk jemi mbi 50%, por jemi forca e parë në këtë njësi dhe sot ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur më përpara. Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq, jemi shqiptarë, kemi një gjak, jemi komshinj, kemi shkuar në të njëjtat shkolla, kemi pasur lidhjen dhe sot shoh këtu shumë motra dhe vëllezër që na kanë ardhur nga ish-LSI, kur kishte emrin e Niptit LSI, se sot ka një emër tjetër. Ata kanë kuptuar se ajo lëvizje socialiste, në fakt ishte vetëm një vegël e Sali Berishës, s’kishte kurrë idetë e majta, kurrë idetë për të çuar Shqipërinë përpara, kurrë idetë për të bashkëpunuar për të mirën. Dhe sot që janë bashkuar me ne, u them mirë se u kthyet në shtëpinë tuaj! Se ka vetëm një të majtë, që është e majtë e vërtetë, një të majtë që beson se ata që fitojnë më shumë, duhet të paguajnë pak më shumë taksa”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ata kanë bërë zgjedhjen e duhur, që i janë bashkuar të vetmes forcë politike të majtë, që mendon vetëm për të mirën e vendit dhe janë larguar nga ata që kanë hallet e tyre.