Veliaj me drejtuesit e klubit të futbollit “Tirana”: Mbas 21 qershorit mbështetje të plotë

419
Sigal

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, merr mbështetjen e klubit të futbollit “Tirana”. Në takimin e zhvilluar me krerët e klubit bardheblu, presidentin Refik Halili, Drejtorin e Administratës, Saimir Shehri dhe atë Sportiv, Devi Muka, Veliaj ka diskutuar mbi mundësinë e një bashkëpunimi më të gjerë në të ardhmen, si dhe u njoh nga afër me projektin për rikonstruksionin e stadiumit “Selman Stërmasi”.
“Duke dëgjuar edhe projektet që ju keni vendosur për sportin, për të shndërruar në terrene sportive të gjitha ato ambiente që janë të zëna dhe jofunksionale, kam besim se edhe ky projekt do të ecë mirë në të ardhmen. Kemi pasur një mbështetje nga Federata Shqiptare e Futbollit, kemi bërë tapetin e ri me të gjitha parametrat, kemi sjellë stolat dhe presim të marrim një leje zhvillimore për pjesën anësore dhe tribunës. Do të ishte mirë që edhe ky stadium në qendër të Tiranës të bëhet ashtu siç duhet”, u shpreh presidenti i ekipit të Tiranës, Refik Halili.
Ai theksoi se gjatë sezonit që sapo u mbyll, nuk ka marrë asnjë mbështetje nga Bashkia e Tiranës. “Nuk e di pse. Nuk është miratuar në buxhet apo nuk ka pasur mundësi, këtë s’di ta them. Por, në këtë sezon nuk ka pasur asnjë mbështetje”, deklaroi ai. Sipas presidentit Halili, klubi bardheblu nuk ka as dhoma zhveshjeje, duke qenë se një pjesë e ambienteve janë të zëna. “Nuk kemi as dhoma zhveshjeje ku të marrim ajër, pasi janë të bllokuara. Të lirohen dhe t’i kthehen klubit të Tiranës që të funksionojë sa më mirë”, tha ai.
Nga ana e tij, kandidati Veliaj shprehu të gjithë përkushtimin e tij për të bashkëpunuar me drejtuesit e klubit të Tiranës, duke theksuar se te Bashkia e re e Tiranës ata do të gjejnë respektin e munguar, por edhe mbështetje të plotë. “Bashkia do të ndihmojë dhe klubet e tjera, edhe Partizanin, Dinamon, Studentin, Farkën, Dajtin sepse bashkia është bërë shumë e madhe. Kjo është një bashki që ka 1 milion banorë dhe 24 njësi vendore. Kjo është më e ndershme sepse më mirë respektojmë 34% të aksioneve dhe japim vlerën e caktuar sesa të themi se kemi 100% për Tironën dhe 100% i zeros, siç e thatë edhe ju, është zero. Besoj se qasja jonë është një qasje më e ndershme dhe më transparente, ku sigurisht pjesën e luanit do ta ketë Tirana, si ekipi ku bashkia është aksionere”, u shpreh Veliaj.
Duke folur për projektin e stadiumit “Selman Stërmasi”, ai tha se nuk do të rinovojë më asnjë kontratë që heq copa të aseteve të klubit për t’ua dhënë palëve të treta. “Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë që stadiumi kryesor i Tiranës të jetë diku jashtë Tiranës, që të ketë dhe mundësi parkimi. Por, kjo s’do të thotë që të lëmë hapësira të tilla, të cilat fare mirë mund të përdoren nga Tirana dhe të jepen me qera për klube të tjera”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës është pronare e 34% të aksioneve të klubit 24 herë kampion të vendit dhe sipas kandidatit Veliaj, ajo do të jetë një nga prioritetet e tij pas 21 qershorit. Të pranishëm në takim ishin edhe trajneri Shkëlqim Muça, kapiteni i Tiranës Ervin Bulku dhe Drejtori Teknik, Eduard Gjini.