Veliaj me bizneset/ Kryebashkiaku vijon ndërgjegjësimin me mbjelljen e pemëve: Tirana, një histori suksesi, po investojmë dhe rindërtojmë

99

Veliaj: Ky është qyteti i të gjithëve. Secili prej nesh e ka një histori, ose të brezit të parë, ose të brezit të dytë, të ardhur në Tiranë.

Sigal

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe përfaqësues të disa prej bizneseve të kryeqytetit, mbollën pemë në zonën e Lumit të Tiranës. Veliaj tha se nga një zonë që dikur përmbytej e ku qytetarët kalonin me çizme, ajo është kthyer në një hapësirë të mbushur me investime me shkolla të reja dhe rrugë të reja.

“Tani duket si përrallë nga e kaluara, sepse nuk ka më përmbytje. Autostrada po merr shtrat në anën tjetër, në zonën e Paskuqanit, por kemi një urë të madhe dhe po përgatisim edhe katër të tjera. Nga dallimi dhe kufizimi klasik i Tiranës me vijën e verdhë, sot kufizimi i Tiranës po bëhet gjithmonë e më shumë natyror. Po rindërtojmë për tërmetin, kurse sipërmarrjet private, 3-4 shtëpi të ndërtuara, ndoshta në mënyrë primitive, janë bashkuar për të bërë një pallat që akomodon ata banorë që kanë pasur tokat, por sigurisht akomodon edhe banorë të rinj. Një zonë që nuk përmbytet, që ka kanalizim, që ka shkolla të reja si “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qirjazi”, të cilat sapo i hapëm, bëhet një zonë tërheqëse edhe për biznesin. Për sa kohë që ka infrastrukturë, çerdhe, kopësht, shkollë, nuk ka asnjë arsye pse Tirana të mos jetë një histori suksesi në qendër dhe në periferi”,- tha Veliaj.

Ai falenderoi bizneset që u bënë pjesë e kësaj fushate dhe ftoi edhe bizneset e tjera që të japin shembullin e tyre, duke theksuar se Tirana është qyteti i të gjithëve.

“Ky është qyteti i të gjithëve. Secili prej nesh e ka një histori, ose të brezit të parë, ose të brezit të dytë, të ardhur në Tiranë. Përsa kohë Tirana ka prodhuar sukses, sepse i ka hapur dyert për të gjithë, atëherë edhe urat dhe lumi mes nesh dhe Kamzës nuk duhet të jetë aty për të na ndarë, por për të na bashkuar dhe për t’u siguruar që ekonomia zhvillohet me të njëjtin ritëm, si këtu, si në anën tjetër të lumit. Te gjurma ku jemi, me mbjelljet që po bëjmë sot, me qindra pemë në çdo aksion, sidomos nga tani deri në prill, kur kemi hapësirën për të mbjellë, na krijohet një shans fantastik për të formuar atë që quhet park linear. Për banorët që janë këtu do kemi hapësirë të gjelbërt. Kur Tirana ecën mirë, jemi mirë të gjithë, kur Tirana çalon, atëherë të gjithë paguajmë çmimin. Tirana po kalon ditët e saj më të mira, por siç thamë, më e mira është përpara”,- u shpreh Veliaj.

Drejtuesit e bizneseve falenderuan Bashkinë e Tiranës për nismat e ndërmarra dhe ftuan biznese të tjera që të dhurojnë pemë për kryeqytetin.