Veliaj: Kemi ligje shumë të mira kundër diskriminimit, por ka ardhur koha që t’i zbatojmë

430
Sigal

Firmoset deklarata, bizneset angazhohen zyrtarisht për
fuqizimin e grave në vendin e punës

Për herë të parë, 11 biznese që kontribuojnë në
zhvillimin ekonomik dhe social të Tiranës, morën angazhimin për të integruar
“Parimet Globale të Fuqizimit të Grave” në praktikat e tyre të punës. Në
ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e UN Women,
Drejtorët Ekzekutivë të kompanive të ndryshme në fushën e IT-së, ndërtimit,
operimit bankar dhe telekomunikacionit, nënshkruan një deklaratë ku
zyrtarizojnë mbështetjen e tyre për avancimin e barazisë midis grave dhe
burrave.

 

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryetari i
Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili 
theksoi se “sfida është krijimi i modeleve të suksesshme, duke filluar
me këto 11 biznese që sot firmosin të parat Parimet e Fuqizimit të Gruas, të
cilat duhet të ndihmohen të kthehen në histori suksesi sepse kështu do të kenë
bërë një punë shumë herë më të madhe për fuqizimin e gruas shqiptare, se sa
studimet apo strategjitë apo qoftë edhe ligjet që kalojmë”.

 

Veliaj shtoi se ka ardhur koha që ligjet kundër
diskriminimit të fillojnë që të zbatohen edhe në praktikë. “Për çështjen e
shanseve të barabarta dhe të përfshirjes në mosdiskriminim, sot kemi ligje
shumë të mira, por ka ardhur koha që t’i zbatojmë. Kemi nisur një skemë jo
kredish, por grante të vogla, për zonjat e zonjushat që kanë filluar një
biznes. Kemi 18 të parat, po shohim si do shkojë ky projekt pilot. Unë jam
optimist se do shkojë mirë për disa arsye, duke qenë se kemi një eksperiencë të
ngjashme”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se një tjetër zotim është edhe ai
që ka të bëjë me shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës. “Parimi tjetër që
firmosim sot ka të bëjë me shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës. Sërish
kemi disa shembuj që po funksionojnë shumë mirë. Në fillim bëmë propozimin që
lejen e lindjes mund ta marrin edhe burrat e shtëpisë, sidomos kur llogaria të
dikton që gruaja paguhet më mirë se burri. Atëherë lejen e lindjes ta
shfrytëzojë burri dhe gruaja, që është në fakt ajo që sjell më shumë të ardhura
në familje, ta ketë mundësinë, jo detyrimin që të zgjedhë se kush do të marrë
lejen e lindjes”, tha Veliaj.

 

Një tjetër çështje e cila do të marrë një vëmendje edhe
më të madhe është dhe ajo që ka të bëjë me çështjen e arsimimit e të trajnimit.
“Besoj se kemi dhënë një shembull të mirë për vajzat dhe gratë në kërkim të një
pune. Kemi ofruar që nga koha e ministrisë kurse falas të arsimit profesional.
Por, besoj se kjo duhet të vlejë edhe për kompanitë. Në ato vendimmarrje që në
dukje janë rutinë, mund të japin një formë krejt tjetër në mënyrën se si
funksionojnë kompanitë tona”, tha ai, ndërsa theksoi se i gjithë ky proces do
të jetë transparent.

 

Kryetari i Bashkisë vlerësoi rolin që luan gruaja në
shoqëri, ndërsa theksoi se edhe një ndër arsyet që gjërat po shkojnë mirë në
Bashkinë e Tiranës është se shumica e vendimmarrjeve është nga gratë. “Jemi e
vetmja bashki që shumicën e ka grupi i grave këshilltare në Këshillin Bashkiak.
Më vjen mirë që shumica e agjencive të Bashkisë dhe shumica e kabinetit tonë,
pra shumica e atyre që janë në postet drejtuese, janë zonja dhe gra. Kjo është
një nga arsyet pse bashkisë i kanë shkuar punët mirë, në mbledhjen e të
ardhurave, në financa dhe në kompanitë publike. Duhet të pranojmë që tani sfida
është në anën e biznesit, për disa arsye. Në momentin që kemi vendosur
diskriminim pozitiv, një sistem kuotash që po shpërblen, besoj se është më e
ndershme që sistemi politik këtë t’ia kërkojë edhe biznesit”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje
do të shërbejë edhe si një etalon që do të duhet të merret shembull nga
bashkitë e tjera në Shqipëri. Disa nga veprimet konkrete që këto kompani do të
ndërmarrin për promovimin e barazisë gjinore janë: politika me tolerancë zero
ndaj diskriminimit dhe dhunës ndaj grave në vendin e punës, trajnime për
punonjëset e tyre dhe gratë sipërmarrëse apo përdorimi i indikatorëve për të
matur zhvillimin profesional të punonjëseve gra.

 

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen teknike të UN WOMEN në
Shqipëri, ka zhvilluar gjatë vitit një seri trajnimesh për dhjetëra biznese të
cilat operojnë në Tiranë me qëllim rritjen e barazisë gjinore dhe rritjen e
pjesëmarrjes së të gjithë aktorëve.