Veliaj firmos me kryetarin e Puglias, UKT do autditohet nga Italianët

478
TIRANË – Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizimet Tiranë do t’i nënshtrohet një auditi teknik dhe financiar nga Ujësjellësi i Puglias dhe më pas do të fillojë faza e investimeve për të garantuar 24 ujë të pijshëm në rubinetet e çdo familjeve në kryeqytet. Përmes një memorandumi të firmosur sot nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Presidenti i Rajonit të Puglias Michele Emiliano ekspertiza italiane do të ndihmojë UKT që të kthehet në një ndërmarrje të suksesshme.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, kryebashkiaku Veliaj tha se nga sot fillon puna konkrete nga e cila do të përfitojnë 1 milionë qytetarë të Tiranës që furnizohen me ujë.
“Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas do të kalojmë në një fazë investimesh ku bashkë me ujësjellësin e Pulias do të sigurohemi që çdo cent që investohet ka një dobi konkrete”, deklaroi Veliaj.
Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano kërkoi që qytetarët të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdes.
“Qeveria shqiptare dhe Bashkia e qytetit të Tiranës nuk do që të humbë kohë, nuk duan që të përhumben vetëm me protokolle e ceremonira, por kërkojnë t’u tregojnë njerëzve se gjërat po ndryshojnë për mirë. Sigurisht që do të duhet edhe një bashkëpunim i qytetarëve të cilët duhet të kuptojnë e të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdese”, deklaroi Emiliano.
Ai theksoi se uji në çdo kulturë trajtohet nga ndërmarrjet e ujësjellësit me maksimumin e eficencës.
“Nëse do të arrijmë objektivin që kreu i Bashkisë na ka bërë me dije, ne mund t’i tregojmë gjithë Shqipërisë, por ndoshta edhe të gjithë Ballkanit jugor, se sa i rëndësishëm është ky burim uji dhe se sa i rëndësishëm mund të jetë Ujësjellësi i Puglias si një instrument praktik bashkëpunimi dhe kjo për t’u shpjeguar të gjithë shqiptarëve domethënien e rrugëtimit që Shqipëria po bën për të anëtarësuar në BE”, tha Emiliano.
Kryebashkiaku tha se do të vijojë disiplinimi i personave që kanë ndërhyrë në rrjet.
“I gjithë fokusi gjatë këtij viti do të jetë tek disiplinimi, do të jetë tek mbledhja e të ardhurave, do të jetë tek një bashkëpunim korrekt me palën italiane për t’u siguruar që sa më shpejt nga një kompani me humbje e qytetit ta kthejmë në një kompani që jo vetëm mban veten, por dhe shpërndan dividente me Bashkinë e Tiranës me të cilët ne mund të bëjmë investime të tjera”, sqaroi Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku tha se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që të ketë ujë 24 orë dhe uji të jetë i një cilësie të lartë në qytet.
“Por këtë nuk mund ta arrijmë nëse ne humbasim 70 % të ujit dhe furnizojmë Tiranën vetëm 11 orë në ditë me ujë. Kjo është arsye pse sot po lidhim një marrëveshje me një nga kompanitë më të mira të menaxhimit të ujit në Itali dhe në Evropë, për t’u siguruar që eksperienca e tyre në menaxhimin e ujit do të bëhet dhe eksperienca jonë”, tha Veliaj.
Në përfundim, kryetari i Bashkisë tha se do të shikohet mundësia për alternativa të tjera të përdorimit të ujit, që jo vetëm të ketë impiant të kanaleve të zeza por të shikohet se si mund të përdoren mbetjet nga filtrimi i ujit edhe për produkte bujqësore apo investime të natyrës së ngjashme.
Pak ditë më parë kryebashkiaku deklaroi se mbi 70% e ujit të pijshëm që prodhohet u vidhet qytetarëve të Tiranës nga lidhjet e paligjshme. 
Sigal