Veliaj dhe Lu e mbyllin 2017 sëbashku: Ja surpriza për 60 familjet…

711
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ambasadori amerikan, Donald Lu, e kanë mbyllur vitin së bashku në Lanabregas, aty ku Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 60 banesa të reja për 60 familjet rome, që u prekën nga projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana.
Banesat e reja erdhën si një dhuratë për këto familje, të cilat mbrëmjen e Vitit të Ri do mund ta kalojnë në një shtëpi të ngrohtë.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNDP-në, përfundoi ndërtimin e 60 banesave pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas, të cilat sot, në ditën e fundit të vitit, u janë dhuruar 60 familjeve të komunitetit rom. Veç kryebashkiakut Veliaj dhe ambasadorit Lu, të pranishëm ishin edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që ky projekt përfundoi brenda një kohe të shkurtër, ndërsa falenderoi të gjithë ata që kontribuuan që edhe këto familje ta kalonin Vitin e Ri në një strehë të re.
“Jam shumë i lumtur sot, që pas një pune të gjatë dhe fantastike nga të gjithë kolegët, kemi bërë zhvendosjen e komunitetit rom nga situata e vështirë te Bregu i Lumit, në një banesë shumë dinjitoze në Lanabregas”, tha Veliaj. Ai theksoi se ndërtimi i këtyre shtëpive është një premtim i mbajtur, e shtoi se ajo që mbetet sfidë për të gjitha institucionet është integrimi i tyre.
“Për ne është jetike që ta mbajmë fjalën. E kishim premtuar që Viti i Ri do t’i gjente këto familje në shtëpi të reja. Është e rëndësishme që komuniteti të mos ndihet si mish i huaj, por të përqafohet nga të gjithë fqinjët. Besoj se kemi nevojë për këtë lloj integrimi”, tha Veliaj. Ai u shpreh se standardi i vendosur në ndërtimin e këtyre banesave në Lanabregas do të ndiqet edhe në projektet e tjera sociale të Bashkisë Tiranë, siç është edhe ai i banesave në Shkozë.
Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe gjitha institucionet e tjera që mundën të ralizojnë këtë projekt që i jep zgjidhje problemit të një prej komuniteteve më të vuajtura në vend. “Kjo është një ditë e gëzueshme. Komuniteti nga Bregu i Lumit ka pasur kushtet më të vështira të jetesës në Shqipëri. Ata kanë bërë një rrugë të gjatë për të mbërritur në këto shtëpi. Shprehim lëvdatat tona për Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financës, OSSHE, komunitetin e Lanabregasit dhe Shkozës, veçanërisht për imamin, kryeplakun, OKB, BE-në, OSBE-në, OJQ-të rome, por mbi të gjitha për këtë komunitet të guximshëm rom. Urime për shtëpitë tuaj të reja”, u shpreh ambasadori i SHBA-së, Donald Lu.
Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams theksoi se ky model përkujdesje ndaj komunitetit rom duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë e tjera. “Është e mrekullueshme të shohësh para fundit të vitit, 60 shtëpi të reja për familjet rome. Urime bashkisë, është rëndësishme të dimë se ata paguan për 80% të kësaj. UNDP-ja është shumë krenare të bashkëpunojë me Bashkimin Europian për të bërë ndihmuar me çfarë të mundet. Do të dëshironim të shikonim të gjitha bashkitë që të kujdeseshin për njerëzit e tyre në këtë mënyrë. Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe me shtëpi me kushte moderne për të gjithë, ndaj duhet të ketë shtëpi sociale të disponueshme për çdokënd dhe është fantastike të shikosh lidershipin e Tiranës këtu”, tha Williams.
Shtëpitë janë ndërtuar në sipërfaqe totale prej 11.699 m2 dhe janë organizuar në 15 godina të veçanta, nga të cilat 11 janë godina të reja dhe 4 të tjera janë rikonstruksion. Në total, janë ndërtuar 60 apartamente të madhësive dhe përmasave të ndryshme.



Sigal