Veliaj: Çertifikojmë furgonët e shkollave, lirojmë shkollat nga ndërtimet

427
TIRANË – Në kuadër të fillimit të vitit të ri arsimor, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash lidhur me transportin publik, lirimin nga ndërtimet pa leje rreth shkollave dhe certifikimin e furgonëve që transportojnë fëmijët. Pas inspektimit që kreu sot në shkollën 9-vjeçare “Ali Demi”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se, në prag të vitit të ri shkollor, është ndërhyrë në rreth 60 shkolla dhe ka mbi 100 të tilla që kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme.
“Nga kjo javë, Bashkia e Tiranës do të nxjerrë disa urdhra për të rregulluar transportin publik. Kompanitë janë tashmë të lajmëruara për faktin se nuk do të ketë furnizim të dyqaneve apo minimarketeve, gjatë orëve të ditës”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, çdo mëngjes shkaktohet trafik për shkak se furnizimi i marketeve bëhet në të njëjtën kohë kur familjarët nxitojnë të çojnë fëmijët në shkollë, ndaj kjo s’duhet të ndodhë më.
Ai kërkoi mirëkuptimin e sipërmarrësve të bizneseve që shpërndajnë produkte ushqimore. “Duke nisur nga java tjetër, do të nxjerrim oraret fikse për ndalimin e furgonëve dhe makinave të furnizimit të qytetit gjatë orëve të mësimdhënies dhe masat e reja për ndërtimet pa leje dhe për të gjithë problematikën që kanë objektet arsimore”, sqaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Lidhur me aksionin e lirimit të hapësirave publike, Veliaj tha se do të prekë edhe shkollat. “Do heqim pa asnjë njoftim paraprak të gjitha ndërtimet rreth e rrotull shkollave, që janë bërë pa leje dhe të palegalizuara. Nëse ka një ndërtim pa leje, duhet të përgatiten se shumë shpejt do të prishen sepse ne nuk mund të mbushim me çibanë çdo lloj shkolle ku shkojnë 100 mijë fëmijët e këtij qyteti”, theksoi Veliaj.
Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se do të ketë nisma të reja që do të prekin mjetet e transportit publik që transportojnë fëmijët në shkolla. “Do të certifikojmë furgonët që bëjnë transportin e fëmijëve në shkolla, për t’u siguruar që transporti është i sigurt dhe që bëhet vetëm nga kompani të licencuara dhe të pranuara nga Bashkia e Tiranës, si të afta për të ofruar një shërbim dinjitoz për fëmijët e qytetit tonë”, theksoi Veliaj.
Nga ana tjetër, Veliaj u shpreh i vendosur që bashkë me Ministrinë e Arsimit, projektin e shkollës si qendër komunitare ta kthejmë në një projekt të suksesshëm për qytetin e Tiranës. “Do të kërkojmë nga të gjithë administratorët dhe drejtuesit e shkollave që të bashkëpunojnë. Si drejtuesi i shkollës, ashtu edhe administratorët janë zyrtarë të Republikës së Shqipërisë që kanë një detyrë përtej orarit ku bëhet mësim, edhe për ta kthyer shkollën në vatrën e një komuniteti që bashkëpunon për të mirën e përbashkët”, përfundoi Veliaj.
Sigal