Veliaj: “Adopto një gjysh/gjyshe; Të japim të gjithë një dorë për të ndihmuar të moshuarit”

681
Sigal

Veliaj i bashkohet vullnetarëve për shpërndarjen e ushqimeve për të moshuarit e vetmuar në Njësinë 1

Edhe sot Njësia Administrative 1 në kryeqytet dërgoi pako ushqimore, derë më derë, për familjet në nevojë, familjet me persona me aftësi të kufizuara, të moshuarve të vetmuar dhe familjet me ndihmë ekonomike. Aksionit në terren iu bashkua edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili ishte sot tek disa të moshuar të kësaj njësie, ku solli pako me ushqime.

Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës është e gatshme për të përballuar me rezerva ushqimore  për një kohë edhe më të gjatë. “Sot filluam mbledhjen masive te ushqimeve, që të përgatitemi për disa muaj, largqoftë, nuk na duhen. Por, nëse na duhen, të paktën t’i kemi”, tha ai.

Kryebashkiaku ftoi të gjithë ata që kanë mundësi, e veçanërisht të rinjtë, që të adoptojnë një person të moshuar këtë periudhë, për ta ndihmuar me ilaçet apo blerjen e ushqimeve.

“Na duhet të një lloj patronazhimi për çdo familje; mund t’i ketë nevojat ushqimore të plotësuara, por një telefon e do përditë. E pyet: Ushqime të sollëm dje, por si je me shëndet, me tensionin, po temperaturë ke? Sidomos për të moshuarit, që janë vetëm. Ndryshe është e pamundur, vetëm sot call-centeri ynë ka pasur 1700 telefonata”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se janë marrë masat edhe për komunitetin rom, edhe për ato familje që jetojnë tek banesat sociale. “Te banesat sociale kemi bërë dizinfektim shtesë, te komuniteti rom kemi dhënë pako shtesë”, tha Veliaj.

Në kohën kur gjyshërit tanë po qëndrojnë në shtëpi, për të shmangur prekjen nga infeksioni COVID-19, me dhjetëra të rinj të Tiranës i janë  bashkuar nismës “Adopto një gjysh e një gjyshe” për t’i ndihmuar ata me pazare apo me blerjen e medikamenteve.