Vdekja e piktorit Maks Velo, Meta: Ikja e tij, boshllëk i pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare!

412
Sigal

Ditën e sotme ndërroi jetë piktori dhe arkitekti i madh Maks Velo. Ka pasur shumë reagime lidhur me vdekjen e piktorit.

Reagimi më i fundit është bërë nga Presidenti Ilir Meta, ku përmes një postimi në rrjetin social facebook, ngushëllon familjarët dhe miqtë e afërt të Velos.

“Maks Velo dhe zëri i tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike”, shkruan Meta.

Ja reagimi i plotë

Ndarja nga jeta e Maks Velos është një lajm i trishtueshëm.
Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pakompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij le pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare.
Ngushëllime të afërmve, bashkëpunëtorëve, miqve e dashamirësve të shumtë!
Maks Velo dhe zëri i Tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike.