Vazhdim i intervistës së Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, qëndrimi për listat e hapura në zgjedhje, Trump dhe OSBE ODIHR

441
Një natyrë trasgresive, agresive ndaj medies tradicionale, mund ta quajmë në njëfarë mënyre, apo jo? ë shumë sulmoi….
Në fakt, unë mendoj se zgjedhja e tij dhe fushata amerikane ka sjellë një revolucion në konceptimin e mediave, në relativizmin e supermediave, të cilat mendonin se përcaktonin zgjedhjet, shpeshherë me sondazhe të pavërteta, të fabrikuara, siç doli në këto zgjedhje dhe siç ndodhi edhe në referendumin e Britanisë e Madhe.
Natyrisht, ndoshta ishte edhe një reagim i amerikanëve ndaj kësaj lidhjeje kaq të fortë të medias me botën financiare, të cilat kërkojnë të imponojnë zgjedhje të caktuara. Në këtë rast, padyshim që kjo do të sjellë edhe një konceptim të ri për rolin e mediave dhe për raportin e tyre me të vërtetën dhe për raportin e tyre me të vërtetën e me qytetarët.

Meqë jemi te mediat, BIRN, në një artikull investigativ deklaron se LSI-ja ka paguar për praninë tuaj në ceremoni. Ka diçka të vërtetë? Një kompani lobimi, sipas BIRN-it…
Nuk dëshiroj të merrem me mediat e Sorosit ose pranë Sorosit. Për këtë nuk jam duke investiguar, por Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë një forcë mjaft transparente, e cila respekton ligjet shqiptare, në radhë të parë, ato amerikane dhe evropiane. Padyshim kushdo është i lejuar që të thellojë më tej investigimet në këtë drejtim. 

Reforma zgjedhore duket se e ka përfshirë politikën në polemika ditët e fundit. OSBE-ja e ka kundërshtuar mundësinë e aplikimit të listave të hapura në zgjedhjet e 2017-ës, që ka qenë një propozim i LSI-së. Po kështu ka hedhur poshtë edhe disa prej propozimeve të opozitës. Nuk pranohen listat e hapura, me një argumentim të caktuar, që nuk ka kohë për thellimin në reformë e të tjera e të tjera. A keni një qëndrim për këtë?
Nuk dëshiroj të bëj debat në nivel ekspertësh dhe teknikësh me OSBE-në. Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi qenë për listat e hapura që në vitin 2008, dhe mendojmë se një nga fatkeqësitë e sistemit tonë është ky sistem zgjedhor, që praktikisht kufizon mundësinë e zgjedhjeve, u jep shqiptarëve më shumë mundësi të votojnë se sa të zgjedhin, pasi kryesisht zgjedhjet i imponojnë partitë dhe drejtuesit e tyre, ndërsa për qytetarët ka shumë pak vend. Aq më tepër një vend që nuk ka traditë primaret brenda partisë, natyrisht që kjo e bën edhe më shqetësuese mundësinë, aftësinë dhe vullnetin e qytetarëve për të bërë zgjedhjet që ata duan, midis partive apo edhe brenda një partie.
Megjithatë, ne e kemi pranuar OSBE/ODIHR-in si arbitër për zgjedhjet, dhe është e qartë se reforma zgjedhore duhej të kishte përfunduar prej kohësh. Kemi kaluar të gjitha limitet. Pingpongu këtu nuk është shumë i rëndësishëm.

Një përgjegjës duhet të ketë. E kujt është përgjegjësia, sipas jush? E të dyja partive kryesore?
Nuk dëshiroj të bëj gjyqtarin këtu, por padyshim që edhe opozita ka pasur mundësi të ishte më insistuese për një kohë të gjatë, për t’u përqendruar në disa nga çështjet që e preokupojnë më shumë, por megjithatë, ka përsëri kohë për të gjetur një mirëkuptim. Mbi të gjitha, do të thosha se standardi i zgjedhjeve është më shumë çështje e vullnetit të forcave politike, për të mos trysnuar votuesit, për të mos trysnuar administratën zgjedhore, për të mos trysnuar median, për të mos trysnuar administratën publike, e njëkohësisht për të garantuar transparencën e financimit të zgjedhjeve të vetë forcave politike, në mënyrë që të ketë barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë.

Ju thoni se ka kohë, OSBE/ODIHR thotë se nuk ka kohë, në fakt. Ndërkohë, nga ana tjetër kemi opozitën, e cila, në mungesë të kësaj kohe, sipas OSBE-së….
Kohë ka gjithmonë, nëse ka vullnet. Unë nuk po flas për aspektin teknik apo teknologjik, sepse kjo është çështje ekspertësh. Këtu flitet për votimin elektronik. Është një gjë shumë pozitive. Është një gjë shumë pozitive, pa asnjë diskutim. Mirëpo, më e bukura është se dje, duke diskutuar për këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve, na ikën dritat në Kuvendin e Shqipërisë. Mendoni sikur të iknin dritat ditën e zgjedhjeve, se çfarë impakti do të kishte kjo.
Nuk po e them këtë për të relativizuar kërkesën e opozitës. Kjo është një kërkesë shumë e drejtë, por të mos harrojmë se në 2013-ën u vendos që të bëhej një proces i tillë, pak a shumë, në dy qarqet më të mëdha, në Tiranë e në Fier, për të cilin u bënë edhe investimet e duhura, e kjo ishte e pamundur.
Kështu që çdo investim teknologjik është mjaft pozitiv, nëse ekziston kjo mundësi, por dikush duhet ta japë këtë garanci, dikush duhet ta marrë përsipër, sepse vendi nuk mund të shkojë në një kolaps zgjedhor.
Sigal