Vasili: Të rishikohet struktura e investimeve në arsim e shëndetësi

467
Vetëm pak orë pasi parlamenti miratoi në parim projektbuxhetin 2016, Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në lidhje me proçesin që do të ndjekë ky draft.
Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat u shpreh se drafti ka nevojë për rishikimin e disa çështjeve të rëndësishme për të cilat mendon se do të marrin vëmendje gjatë diskutimit të projektbuxhetit nen për nen në Kuvend.
Deklarata e Petrit Vasilit
Siç e keni ndjekur, dje pas një seance tepër të gjatë, u arrit në miratimin e projektbuxhetit të ri për vitin 2016, miratim i cili mbylli siparin e etapës së parë, miratimin e këtij buxheti në parim. Votimi i djeshëm ka qenë një votimi motivuar nga dy-tre elementë thelbësore, të cilat ne i bëmë të ditur edhe në sallën e parlamentit ku vota e djeshme premioi qëndrueshmërinë politike dhe qëndrueshmërinë ekonomike të reflektuar në projektbuxhet. Gjithashtu, vota e djeshme ishte një mbështetje për një menaxhim më efikas të buxhetit dhe njëkohësisht dhe për një konsolidimi fiskal të financave shqiptare mbas një periudhe relativisht më të turbulluar të dy viteve që lamë pas.
Gjithsesi, jemi në këtë komunikim së bashku për të pasur një vëmendje maksimale edhe të publikut në një moment të dytë të rëndësishëm dhe delikat sa i takon këtij rrugëtimi të miratimit të projektbuxhetit, që lidhet drejtpërdrejtë me shqyrtimin e tij nen për nen ku pikërisht në këtë diskutim tepër të gjerë, intensiv dhe delikat, buxheti merr pamjen e tij të zbatimit praktik, të realizimit të gjërave të prekshme dhe të atyre aksionet të cilat qytetarët edhe i ndiejnë dhe gatishmërinë e tyre e kanë në duar në përditshmërinë e tyre.
Së pari, ky proces duhet të shoqërohet me qetësi dhe me mendjehapje. Do të lërë pas këmbënguljen për të mos ndryshuar asgjë dhe për të mbetur rob i propozimeve të cilat kanë ardhur. Diskutimi dhe debatimi ka në thelbin e tij mundësinë e reflektimit të ndryshimit, sepse në mënyrë të natyrshme duhet të ketë reflektime brenda kornizave që buxheti ka, por edhe hapësira që ai ka për të ndryshuar edhe raportet e brendshme të tij, sepse ka nevojë për reflektime përsa i takon strukturës së shpërndarjes në grantet e pushtetit vendor. Është e natyrshme dhe e domosdoshme që të ketë një reflektim që lidhet me prodhimin vendas, ku rritja e akcizës së birrës është një moment i cili duhet të ketë reflektim pasi diskriminimi i prodhimit vendas është një politikë e gabuar dhe jo që vetën nuk ndihmon askënd, por është e pakuptueshme për të gjithë.
Një shqetësim tjetër do të ishte konsiderimi brenda hapësirave të arsyeshme i shqetësimeve që kanë profesionet e rregulluara lidhur me sigurimet që ata janë të detyruar të paguajnë dhe këtu hapësirat për një kompromis, për një zgjidhje më të arsyeshme ekzistojnë. 
Gjithashtu janë për t’u marrë në konsideratë çështjet që lidhen me disa disproporcione dhe zhbalancime në mënyrën dhe formën e shpërndarjen e financimit në infrastrukturën rrugore dhe më konkretisht në raportet midis buxhetimit të Ministrisë së Transporteve dhe buxhetimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit ku ka disekuilibra dhe zhbalancime të cilat janë edhe të paqarta dhe të pa motivuara dhe në disa raste jo fort të arsyeshme pasi infrastruktura rrugore dhe në mënyrë të veçantë akset nacionale themelore të cilat janë edhe arteriet kryesore të vendit nevoje për përgjigje të shpejta dhe për kantieret të cilat përmbyllin punimet dhe veprat bëhet e dobishme për qytetarët dhe jo mbajtja e tyre pezull për një kohë të gjatë.
Gjithashtu reflektime të nevojshme ka edhe për masën e shpenzimeve të qeverisë ku një rideminsionim dhe një rishpërndarje do të ishte një reflektim i dobishëm dhe i prekshëm dhe për disa sektor të tjerë të qeverisë të cilët kanë nevojë për injeksione për buxhetin brenda kësaj mase që ne miratuam dje në parim ku ka hapësira për reflektim. 
Gjithashtu ka vend për reflektim për ristrukturim të brendshëm të investimeve në arsim dhe shëndetësi, pasi në mënyrë të veçantë në këta dy sektorë madhorë të jetës shoqërore të vendit, shpërndarja dhe rishpërndarja e ristrukturimi i disa ndërhyrjeve do të ishte i dobishëm edhe që qytetarët në mënyrë të veçantë e në kohë të shkurtër të prekin ndryshimin i cili do të vinte nga ato para të taksave të tyre të cilat ne i miratuam dje në parim. 
Sigurisht një reflektim i arsyeshëm dhe një qëndrim i hapur dhe nuk ka vend këtu përse të mos ketë një diskutim, një debat konstruktiv, pasi brenda hapësirave, qeveria në njërën anë dhe deputetët në anën tjetër të cilët sjellin shqetësimet e popullit, pra ndajnë të njëjtat preokupacione, pra preokupacionin e përbashkët që Shqipëria të bëjë përpara dhe buxheti të jetë sa më i prekshëm dhe më i dobishëm në të mirën që ajo u jep qytetarëve. Në këtë debat, pra fryma e mendjehapjes dhe jo e ngurtësimit në pozicionet fillestare , do të ishte shumë e dobishme pasi qytetarët do të kuptonin vërtet se cili është aksioni kaq i rëndësishëm politik dhe pse diskutohet kaq gjatë projektbuxheti i vitit 2016 dhe do të kuptoni se arsyet e këtij debati kaq të gjatë janë pikërisht për t’u sjellë atyre gjithmonë e më shumë ato të mira që ata i kuptojnë dhe i prekin. 
Ne sigurisht distancohemi nga fryma e një debati agresiv, pa përmbajtje, tërësisht destruktiv që opozita shqiptare ka mbajtur në lidhje me projektbuxhetin. Ne jemi të bindur që vetëm një qëndrim ku kritika konstruktive, e cila do t’u sjellë të mira qytetarëve, është qëndrimi i vetëm dhe i duhur. E sigurisht mazhoranca dhe opozita mund të ndahen në shumë gjëra edhe për projektbuxhetin, por për çështjet e buxhetit mund të kenë pika ku ato gjejnë të mira të përbashkëta, sepse kjo e mirë e përbashkët është e mirë e atyre qytetarëve të cilëve të gjithë së bashku, mazhorancë dhe opozitë, u drejtohemi që t’u kërkojmë besimin dhe votat. 
Në përfundim të fjalës sime do të thosha që ky moment është një nga momentet që formëson në mënyrë konkrete dhe të prekshme buxhetin e vitit 2016 dhe si i tillë duhet të vlerësohet. Ky proces diskutimi duhet të jetë sa më transparent në sytë e publikut sepse nëpërmjet diskutimit, edhe qytetarët bëhen aktivë dhe janë shumë të qartë se cila është e ardhmja e taksave të tyre dhe sa mirë ato do të përdoren dhe me sa efikasitet ato do të përdoren. Siç e theksuam edhe dje në sallën e parlamentit, ka vend dhe duhet të ndërtohet edhe një plan konkret shumë intensiv. Nuk do ta teproja po të përdorja termin agresiv lidhur me monitorimin e përditshëm të përdorimit dhe të implementimit të projektbuxhetit për të evituar edhe rishikimet që ne kemi bërë tashmë, një traditë jo pozitive të buxheteve në mes të vitit. Për të mos lënë grumbullimin e të gjitha procedurave të tenderimit në fund të vitit ku ndodhin edhe prokurimet me ngut, por jo gjithmonë në respekt të procedurave që krijojnë më pas dhe debate të gjera publike dhe njëkohësisht për të pasur mundësi që qytetarët që me fillimin e zbatimit të këtij projektbuxheti, të fillojnë të ndjenë dobitë e tij. 
Pyetje nga gazetarët 
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me votën që mbajti LSI dje për hetimin ndërkombëtar të çështjes “CEZ”?
Ju e keni ndjekur që qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë në lidhje me çështjen “CEZ”. Ka pasur dhe ka një pengesë serioze kushtetuese. Ne kërkuam dhe sigurisht do të ishte zgjidhja optimale dhe në pikëpamjen ligjore e kushtetuese që të kishim një konsensus të gjerë për të bërë ndryshimin përkatës kushtetues që do t’i hapte rrugë një hetimi të tillë. Për fat të keq, një konsensus i tillë nuk ndodhi, e në mungesë të tij, ne nuk orientuam politikisht votën tonë dhe të gjithë deputetët në sallë votuan sipas vullnetit të tyre të lirë lidhur me këtë çështje. 
Sigal