Vasili: Shërbimi dhe punësimi, motoja jonë jo vetëm në këto katër vite që vijnë

490
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Fierit, z. Petrit Vasili dhe z. Robert Bitri, kanë prezantuar kandidatët e LSI-së për këshillin bashkiak të Fierit. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Fier, z. Armando Subashi. Në fjalën e tij Vasili theksoi se me kandidatin e “ASHE”-së, Armando Subashi, Bashkisë së Fierit do t’i garantohen më shumë punësime dhe shërbime.
“Sot e kemi instrumentin, kemi Aleancën për Shqipërinë Evropiane, kemi votat e duhura, kemi edhe kryetarin e duhur. Ne sot shkojmë çdo komunë, në çdo takim, në çdo cep të Fierit dhe flasim vetëm për një gjë; flasim për më shumë shërbime dhe për më shumë punësim. Nuk mund të mos ketë punësim kur qyteti lulëzon, nuk mund të mos ketë punësim kur bujqësia ecën shumë më mirë dhe transformohet. Prandaj shërbimi dhe punësimi do të jenë motoja jonë, jo vetëm në këto katër vite që vijnë, por do të jetë motoja e kësaj aleance e cila do të rrijë shumë gjatë në pushtet. Ne kemi një binom, që lidhja e shkurtër që qeveria vendore, Armando Subashi në Fier dhe Edi Rama në Tiranë, dhe këshilli bashkë të jenë 24 orë në komunikim me njëri-tjetrin dhe problemet të marrin atë zgjidhje që duhet. Kam kënaqësinë që në listën e këshilltarëve të LSI-së ndodhen së bashku themelues të LSI-së dhe njerëz më të rinj. Kjo është një rrugë e bukur e gjatë që e kemi bërë së bashku duke pasur vetëm një bindje që në trapezën tonë zemërgjerë dhe zemërhapur ka vend gjithmonë për një njeri që vjen me zemër të hapur. Fitore Armando Subashit dhe fitore LSI-së”, tha Vasili.
Fjalën në këtë takim e ka marrë edhe kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Fier, Armando Subashi, i cili ka deklaruar se me ndarjen e re territoriale Bashkia e Fierit do të jap më shumë shërbime më qytetarët dhe se dera e saj do të jetë gjithmonë e hapur. “Bashkia e madhe që është krijuar, është një bashki e cila nesër na vë përballë sfidave shumë të mëdha, por na vë edhe përballë përgjegjësive shumë të mëdha, pasi bashkimi i kësaj bashkie me nëntë komuna në bashkinë e madhe, sigurisht që na ofron mundësi pa fund për të zgjidhur problemet që ne kemi sot, për të zgjidhur hallet që ka fshati, për të zgjidhur problematikat që ka fermeri. 
Dy ishin arsyet që ne vendosëm të bëjmë reformën territoriale. Së pari, përmbushja e gjithë detyrimeve që bashkitë dhe komunat kishin në territor ndaj njerëzve për rrugën, ujin, kanalizimet, ujësjellësit, për kopshtet dhe çerdhet. Dhe së dyti, që nëpërmjet politikave dhe vendimmarrjeve të veta të bëjmë më shumë zhvillim ekonomik në zonat e veta. Unë jam i bindur që bashkia jonë e madhe nesër të dyja këto do t’i zhvillojë me sukses. Jam i bindur që me mbështetjen e këshillit bashkiak, dhe padyshim me mbështetjen tuaj, për rilindjen e qytetit të Fierit, ne do t’ia dalim. Në fakt kemi dy sfida përpara, atë që ka të bëje me 21 qershorin, dhe sfidën e 4-vjeçarit, që ka të bëjë me mirë qeverisjen”, tha Subashi.
Sigal