Vasili: Qytetarët shqiptarë janë sot gjithmonë e më vetëm në përballimin e pandemisë

242
Sigal

Deklarata e plotë e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

Qytetarët shqiptarë janë sot gjithmonë e më vetëm në përballimin e pandemisë, sepse kanë një qeveri të paaftë dhe të korruptuar në çdo qelizë të saj.

Shqiptarëve sot iu janë imponuar me detyrim, maska dhe gjoba si provë e dështimit total në menaxhimin e pandemisë, pasi janë njohur dhe i janë imponuar edhe më parë të përdorin maska dhe janë dënuar pafundësisht edhe më parë me gjoba.

Sot publikisht, tërë shqiptarët e kanë vënë nën akuzë kryeministrin, i cili i mbylli për 2 muaj e gjysmë në shtëpi, duke deklaruar vetëm 27 raste të infektuara me Covid  në ditë dhe deklaroi në 27 maj se ai nuk do të prononcohej më dhe falënderoi të gjithë ata që u morën me të, për punën, përkushtimin si suksese dhe një fitore tashmë të përfunduar.

Ndërsa sot, numri që deklaron qeveria po vetë, që nuk është numri i vërtet i të infektuarve është 203 raste, 750% më i lartë nga ai që ishte në kulmin e pandemisë të deklaruar nga Edi Rama, i cili i mbylli të gjithë shqiptarët në shtëpi. Është e qartë që shqiptarët përballuan një mbyllje politike dhe jo një mbyllje që kishte të bënte me kontrollin e pandemisë. Shqiptarët përballuan një mbyllje anti-shkencore, anti-mjekësore dhe anti-logjike që ishte produkt i marrëzisë politike të Edi Ramës. Shqiptarët përballuan një mbyllje totale që dëmtoi shëndetin e tyre dhe që shkatërroi ekonominë e tyre.

Autoblindat, gjobat, policia e Edi Ramës në ato dy muaj e gjysmë mbyllje, jo vetëm që nuk zgjidhi pandeminë, por çoi në përshkallëzimin dhe daljen tërësisht jashtë kontrollit të saj.

Qytetarët shqiptarë, nuk kanë nevojë për hipokrizirat e kryeministrit dhe të frazave të tij sa të çmendura aq edhe demagogjike, por mijëra qytetarë shqiptarë të infektuar me COVID që trajtohen në shtëpitë e tyre kanë nevojë për mbështetje se janë lënë në mëshirë të fatit. Mijëra familje shqiptare po marrin para borxh për të përballuar kurimin, ilaçet dhe gjithçka duhet materiale mjekësore për të trajtuar këtë problem kaq të vështirë dhe delikat.

Zero përgjigje ka nga Edi Rama për ta, zero ndihmë nga qeveria për këto familje, zero mbështetje financiare për ta në këtë moment kaq të vështirë. Në këtë moment pandemie, rimbursimi i të gjitha barnave dhe materialeve dhe gjithçka duhet për të sëmurët që trajtohen në banesë është detyrim ligjor i pashmangshëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë është e qartë dhe në ditën e sotme që ne flasim nga komunikimi i drejtpërdrejt me të. Është tepër e prerë dhe kërkon që duhet bërë për qytetarët në këtë kohë pandemie, e kjo përmblidhet në 3 momente kyçe, të pashmangshme, shkencërisht të provuara dhe që vërtetë përballojnë pandeminë ashtu si duhet në ndihmë të qytetarëve. Që do të thotë qytetarët duhet të testohen gjerësisht, të kryhet gjurmimi dhe të kryhet trajtimi i tyre.

Çdo të thonë këto hapa do të thotë të testohen në mënyrë që të njihen të gjitha vatrat e infeksionit sepse pa eliminimin e tyre pandemia do vazhdojë të gjalloje mes nesh dhe infeksionet do të rriten pa u ndalur.

Gjurmim, që do të thotë qartë dhe prerë, identifikimin i të gjithë atyre që janë të rrezikuar të infektohen për shkak të kontakteve dhe pa e kryer këtë hap, pandemia vetëm do të ecë përpara.

Gjithashtu trajtim, që do të thotë, trajtim mjekësor me të gjitha barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme të marra nga shteti qoftë në spital dhe qoftë akoma më shumë në banesë ku situata është tërësisht jashtë kontrollit. Gjithashtu, respektimi dhe marrja e masave kuptohet për distancim fizik, por dezinfektimin në gjerësi të ambienteve publike, të ambienteve ku ofrohen shërbime për qytetarët, të të gjithë strukturave shëndetësore, arsimore në mënyrë të vazhdueshme, periodike në mënyrë të përditshme.

Krijimi i të gjitha mundësive reale për respektimin në mënyrë të veçantë të distancës të krijohet e të jetë një realitet. Vetëm pas përmbushjes së të gjitha këtyre hapave thelbësor, kritik, fondamental për përballimin dhe për vënien në kontroll të pandemisë është dhe përdorimi i maskës e cila, të jeni të qartë që të gjithë qytetarët ju flas si mjek dhe jo si një përfaqësues politik i LSI. Mos marrja e gjithë masave të mësipërme e bën maskën tërësisht një masë pa asnjë vlerë.

Koha për ti hedhur hi syve qytetarëve ka mbaruar. Veç shifrave në rritje të pandemisë flasin vetë qeveria duhet të vendosi të gjitha fondet në dispozicion, qeveria nuk duhet të vazhdojë që të kursejë para për shëndetësinë dhe të mos japë asnjë lek për të por të mos kursejë para për koncesione, për inceneratorë imagjinarë, për zyra dhe mobilie luksi, për çarter nga bredh lart e poshtë qeveritarët dhe Kryeministri i vendit.

Qytetarët është e qartë që u është imponuar që të mbajnë maska por asnjë prej tyre nuk mund të gënjehet më, qytetarët e kanë dëgjuar historinë e maskave, e kanë dëgjuar imponimin për to edhe më parë, gjendja ju e shikoni është rënduar në mënyrë katastrofike. Dhe qytetarët një pjesë dërrmuese e tyre janë të shqetësuar, të trembur nga dënimi, nga gjoba dhe jo nga efiçenca apo besueshmëria e maskave.

Të cilat ashtu siç janë sugjeruar të përdoren lloje-llojë, copa beze, maska kirurgjikale. Lloje të tjera të cilat mund të mbrojnë personin por nuk mund të mbrojnë nga infektimi të tjerët janë pikërisht një amulli, një çoroditje e jashtë zakonshme që nuk krijon mbrojtje por thjesht dhe vetëm ecën mbi psikozën e një qeverie që ka në mendjen e saj jo zgjidhjen e problemit, por trembjen e qytetarëve me gjoba. Është e qartë që maskat përfundimisht kanë rënë dhe ka dalë hapur paaftësia, pa dija por njëkohësisht dhe ligësia e përdorimit politik të pandemisë.

Qytetarëve u këshilloj dhe ju sugjeroj të vazhdojnë të dëgjojnë specialistët, të bëjnë ç’ munden ata vetë për të respektuar veprimet e domosdoshme të pandemisë të gjitha ato që radhita, ku në të gjitha këto veprime të domosdoshme, jetike të cilat duhet ti ndërmarrë shteti, maska është pikërisht e fundit në radhën e tyre dhe jo përcaktuese.

Faleminderit të gjithëve!