Vasili: Ligji i shërbimit civil dhunohet, ndërsa Vlahutin hesht

576
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se të dhënat e Komisionerit të Shërbimit Civil zbulojnë se 1/3 e emërimeve në administratë janë në shkelje të ligjit. “Raporti korrekt dhe ligjor i Komisionerit të Shërbimit civil zbulon qartë se më shumë se një e treta e nëpunësve civil janë emëruar në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil. Ka edhe mjaft fakte të tjera në këtë raport të komisionerit, i cili bën një skaner tronditës se si ky ligj po zhbëhet dita-ditës. Edhe shqiptari më i fundit e ka shumë mirë të fiksuar që në vitin 2013 miratimi i ligjit të shërbimit civil ishte kusht i pakapërcyeshëm për integrimin evropian e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe u kërkua me insistim nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Vasili. Sipas tij, “ishte pikërisht miratimi i tij përpara zgjedhjeve të 2013, që mundësoi më pas rekomandimin e BE-së për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë”. “Ligji për shërbimin civil dhunohet nga qeveria në mes të ditës, ndërsa BE në Tiranë hesht. Për shkak se ky ligj ishte kusht i integrimit evropian dhe monitorohet fort nga BE në Bruksel, heshtja e BE-së në Tiranë është një përgjegjësi serioze politike. BE në Tiranë ka qenë shpesh e papërtuar për të folur, komentuar e sugjeruar edhe për mjaft çështje ku do të kishte ndihmuar më shumë duke mos folur. Pse hesht Vlahutin dhe mbyll sytë para dhunimit të ligjit të shërbimit civil, që po shpërbën dhe po politizon në themel administratën publike të këtij vendi”, u shpreh Petrit Vasili.
Sigal