Vasili: Kryeproblemi është shitblerja dhe kriminalizimi i votës

653
Sigal

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i ftuar në Ditari në A2 deklaroi se “opozita ka qenë shumë aktive dhe e paduruar për të mbyllur Reformën Zgjedhore dhe të niset me zbatimin e saj”, por, sipas tij, “kryeproblemi është shitblerja dhe kriminalizimi i votës”.

“Opozita ka qenë shumë e tonizuar, shumë aktive dhe e paduruar për të mbyllur Reformën Zgjedhore dhe të niset me zbatimin e saj. Por, kryeproblemi është shitblerja dhe kriminalizimi i votës. Sistemi që kemi në fuqi është po i njëjti që garantoi në vitin 2013 rotacionin politik. Sistemi ra kur vota u kriminalizua. Pa u zgjidhur kjo çështje, të tëra sistemet do të hyjnë në krizë po u futën kriminelët në të. Ata që marrin përsipër të flasin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duhet t’i japin përgjigje kësaj çështjeje. Nuk i kanë dhënë përgjigje, por kanë nisur të merren me probleme të tjera: me kutitë e votimit se me çfarë do të transportohen”, tha Vasili.

“Një draft paraprak goxha të mirë, opozita e kishte përgatitur që kur ishte në Parlament. Në atë kohë, PS e sabotoi procesin dhe dërgoi një draft tjetër në komision”, shtoi Vasili.

Sipas tij, opozita nuk do të ndryshonte asgjë nga ato që ka bërë në vitin 2019, pasi sot, “thellimi në kriminalitet i qeverisë është shumë i qartë”.

Në lidhje me protestat opozitare, Vasili tha: “Aksioni politik është shumëformësh. Nuk është vetëm protesta mjet shprehjeje. Protesta është mjet që e kemi përdorur, do ta përdorim sërish, por mjet janë edhe denoncimet publike”.