Vasili: A mund t’i shpjegohet se si jetohet me 100 USD nw muaj ?

16
Sigal

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, foli nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancës së të enjtes së 21 Shtatorit për indeksimin e pensioneve. Vasili kërkoi të dijë nga qeveria se në kohën kur një pensionist merr më pak se 100 dollarë në muaj, si është e mundur të sigurojë minimumin jetik. Deputeti shkoi deri në akuza, duke përmendur aferat, paratë prej të cilave sipas tij mund të ishin shfrytëzuar për të siguruar ‘mbijetesën’ e pensionistëve. “Ka ca shifra që janë të pakapërcyeshme. Kemi mbi 52 përqind të pensionistëve në fshat që marrin më pak se 100 dollarë në muaj. A ka qeveria mundësi t’i shpjegojë që këtij kryeministri se si mund të jetojë me 100 dollarë në muaj? Është e pamundur të sigurohet mbijetesa biologjike. E njëjta gjë është edhe në qytet, rreth 90 përqind e pensionistëve janë në kufirin jetik. A dinë ta shpjegojnë këta se si jetojnë këta njerëz, para se të flasin për atë indeksimin 8 përqind? Po ti moj qeveri e dashur që je kaq dorështrënguar, nuk ke turp që ke shpenzuar miliarda, që vidhen dhe provohen që janë vjedhur. Këto para do ishin një kontribut për mbijetesën e mijëra pensionistëve”, tha Vasili i cili edhe në përmes rrjetit të tij social vijoi komunikimin duke thënë: “Mbyllni gojën mor batakçinj rilindas të qeverisë e të parlamentit! Pensionistët trajtohen ç’njerëzisht nga Rama dhe hajdutët e tij! Pensionistët nën nivelin e varfërisë. Pensionistët nuk arrijnë as mbijetesën biologjike. Pensionistët nuk blejnë dot as barnat por marrin gjysma dhe çerek kuti ilaçesh nga varfëria. Mjerimi i pensionistëve është fakt kaq i dhimbshëm që kërkon zgjidhje. Pensioni mesatar si në qytet ashtu edhe në fshat është nën kufirin e varfërisë. Në vitin 2022 pensioni mesatar në qytet ishte 180 USD në muaj ose 90 për qind e kufirit të varfërisë. Pensioni mesatar në fshat ishte 105 USD në muaj ose 52 % e kufirit të varfërisë. Masa e pensioneve në vendin tonë është nën kufirin relativ të varfërisë me 6.7 USD në ditë rreth 201 USD në muaj. Ndërkohë Rama dhe qeveria vjedhin qindra milion euro me koncesione e tendera dhe e kanë futur Shqipërinë me miliarda euro. Ju vodhën pensionistëve edhe lekët që vijnë nga emigracioni me kursin e euros. Dhe kanë surrat qeveria dhe deputetët pa karakter e flasin për indeksim pensionesh. Mbyllni gojën dhe boll u tallet me dhimbjen dhe mjerimin mor të pacipë!” – tha Vasili.