Varrimi i Kadelit, Meta: S’e mendoja kurrë, që do vija në Lezhë e nuk do më prisje

493
Miq dhe politikanë i dhanë lamtumirën e fundit deputetit të LSI-së Gjovalin Kadeli. U nda nga jeta në moshën 53 vjeçare nga një sëmundje e rëndë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të deputetit të LSI-së, Gjovalin Kadeli, i ndarë nga jeta pak ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë. 

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni mortore të zhvilluar në Lezhë dhe të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Ilir Meta shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të Kadelit, duke theksuar se nuk e kishte menduar kurrë më parë një çast si ky dhe një arsye të rëndë si kjo për të ardhur në Lezhë. “Ka shumë vite që për të ardhur dhe ndaluar në Lezhë, si qytet, si mik, i ftuar, apo si politikan, një arsye e madhe ishte babai dhe biri juaj, miku dhe kolegu ynë i paharruar, Gjovalin Kadeli. Nuk e kishim menduar kurrë se në një ditë si kjo, Gjovalini do të na mblidhte sërish të gjithëve, por nuk do të na dilte të na priste buzagaz si gjithmonë. Duke qenë miku ynë i pazëvendësueshëm, Gjovalini sot na kujton boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë”, – tha Kryetari i Kuvendit. Meta shtoi se nuk e kishte menduar kurrë që ai mik dhe koleg, me atë gjallëri e vitalitet të jashtëzakonshëm, me atë dëshirë dhe dashuri për jetën, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit që e donin siç i deshte, që e respektonin siç dinte ai t’i respektonte, që u besonte siç edhe ata e besuan për vite të tëra. “Lajmi se Gjovalini ishte sëmurë, në fillim na tronditi. Por ishim të bindur se ai do ta fitonte atë betejë. Do të fitonte mbi sëmundjen e rëndë, si një betejë të madhe që e bënte në emër të fëmijëve të tij të dashur, të nënës së tij të shtrenjtë, por edhe kujtimit të bashkëshortes së tij. Si një betejë që e bënte në emër të të afërmve, miqve dhe shokëve të panumërt dhe gjithë qytetarëve që i besuan për disa herë rresht votën e do t’i besonin me siguri edhe mandatin tjetër përfaqësues në Kuvend”, – vijoi Meta, ndërsa u shpreh ndër të tjera se Gjovalin Kadeli u bë që hershëm dhe menjëherë një ndër njerëzit e shquar, të përkushtuar e të dobishëm të qytetit të tij, e më pas një qytetar i merituar i Tiranës politike, si deputet, si anëtar i Komisionit të Ekonomisë, me kontribut të veçantë në Parlament dhe mbi të gjitha me një lidhje të jashtëzakonshme me qytetarët e tij dhe komunitetin që përfaqësonte.
Sigal