Varrezat greke në Shqipëri, Idrizi: Qeveria Rama po ngre fantazmat e Vorio-Epirit

719
Pas vendimit të qeverisë Rama për të ndërtuar varrezat greke në vendin tonë, duke iu përmbajtur marrëveshjes me fqinjët, ka reaguar ashpër kryetari i PDIU-së
Qeveria ka marrë vendim për të ngritur varrezat greke në Shqipërinë e Jugut dhe për të respektuar të rënët grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendimi u shpall pak ditë më parë. Ndërkohë nuk kanë qenë të pakta reagimet nga të gjitha anët. Më i fortë ishte ai i bërë nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili e ka cilësuar një gabim mjaft të rëndë të ndërmarrë nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama. Ndërsa të tjerë e kanë cilësuar si një përulje të Ramës ndaj grekëve. Idrizi përmes një statusi në “Facebook” shkruan se Rama dhe qeveria e tij janë duke njollosur historinë e Shqipërisë, ata po ngrenë fantazmën e Vorio – Epirit dhe se nuk po respektohen varret e çamëve të rënë në Greqi. Idrizi thekson se e gjitha kjo është një turp kombëtar për qeverinë. Prej shumë kohësh jo vetëm PDIU ka shtruar për zgjidhje çështjen e të vrarëve çam në Greqi, por shteti fqinj nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë. Në të kundërt të kësaj, Rama sipas Idrizit, po i bën një nder të madh grekëve. 

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me shqetësim faktin që qeveria shqiptare po bën hapa pas në çështjen e varrezave të ushtarëve grekë. Beteja për ngritjen e varrezave te reja, në kufijtë e fantazmave të Vorio – Epirit është e papranueshme dhe në praktikën ndërkombëtare, ku për ushtarët e rënë në territorin e një shteti tjetër, ngrihet vetëm një varrezë simbolike. Këtë praktikë Shqipëria e ka aplikuar dhe për varrezat e ushtarëve britanikë apo francezë. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar tashmë rezolutën për Çështjen Çame, ku ndër të tjera përfshin dhe ngritjen e varrezave të shqiptarëve të Çamërisë si çështje thelbësore e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së jetës. Kjo është një kërkesë e kahershme e Shoqatës “Çamëria” dhe e PDIU-së, madje e biseduar në komisionet mikse në vitet ‘91-’94”, shkruan Idrizi.
Sigal