Vangjush Saro: Pse baltoset ‘Lëvizja e Studentëve’? Zhgënjimet e Ramës dhe të tjerve në PD nuk mund ta hedhin posht 8 Dhjetorin

285
Sigal

Edhe habitem edhe jo, me lojën që po bëhet në disa medie dhe institucione së fundmi në lidhje me ngjarjet në Qytetin e Studentëve në dhjetorin e vitit ‘90, ngjarje që bashkë me disa greva urie e protesta të minatorëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Tiranës, Shkodrës, Kavajës, etj. shënuan edhe rënien ‘de jure’ të rendit socialist, ndërkohë që ai në fakt kishte rënë kohë përpara. Mirëpo ashtu siç e kemi zakon, ashtu siç vetëm ne dimë, këto ngjarje e protagonistët e tyre po masakrohen. Në gojë të disa analistëve dhe qeveritarëve të sotëm, janë vetëm fjalët ‘zhgënjim’ e ku di çfarë tjetër, sikur të kishim të bënim me një humbje… Kurse në atë dhjetor, Shqipëria ndërroi sistemin politik e shoqëror dhe filloi një kthesë në jetën e vet. Nuk di çfarë prisnin disa nga ndërrimi i sistemeve politike në Shqipëri. Mbase… të ‘hanin me lugë floriri’, sikundër ishte premtuar në vitin 1945, fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që ne gjithashtu e marrim nëpër këmbë, sepse ashtu iu intereson disa shtresave, në mos ca individëve, që rrojnë me fiksime. Kjo është një periudhë në të cilën, njerëzit, mirë a keq, jetuan, ndërtuan një shoqëri ku aspirohej për më mirë, bënë rrugë, hekurudha, hidrocentrale, shkolla, spitale, teatro, stadiume… Ishte një periudhë në të cilën mori fund analfabetizmi dhe u elektrifikua gjithë vendi. Por ishte, gjithashtu, një periudhë në të cilën u ndalua feja dhe besimi dhe një pjesë e njerëzve, sipas shtresave, përkatësisë klasore apo fatit, u denigruan, u dënuan dhe vuajtën, në të shumtën e herëve, pa faj. Ishte një periudhë kur vendi ndoqi një politikë të mbrapshtë, tejet majtiste, ndryshe madje edhe nga të ashtuquajturat ‘demokraci’ të Evropës Qendrore e Lindore. Pse duhet baltosur kontributi i vendit në Luftën e Dytë Botërore në anën e fituesve të saj? Duket sikur i mbahet ana shtresave të djathta. Luftën e filluan ushtarët dhe oficerët e Zogut (në Durrës e gjetkë). E vazhduan po ata, kur çetat e para antifashiste i ngritën Abaz Kupi me shokë. Kjo luftë, mori më pas një drejtim tjetër, për shkak të përplasjes për pushtetin e ardhshëm (Konferenca e Mukjes); dhe, për fat të keq, sa nga zelli komunist i partizanëve, sa nga përqafimi i zogistëve dhe ballistëve me pushtuesin, u shënuan edhe disa elemente të një lufte civile. Çfarë ka këtu për t’u mohuar dhe keqinterpretuar? Mohimi dhe zvetënimi i fakteve, i kohës, i protagonistëve të saj, i gjithçkaje që nuk i shërben një klani të caktuar, është një lojë e vjetër, por që nuk shkon më.

Edhe një grua e thjeshtë si Izadora Dunkan thoshte me të drejtë dikur: “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Por ne nuk i kemi kuptuar ende; këtë dhe thënie të tjera. Nuk duam. Duket sikur pjesë e kësaj loje me përbaltje, është edhe Kryeministri, z. Edi Rama, që para disa ditësh, në një intervistë në lidhje me këto ngjarje, tregoi me njëanësi për rolin e tij në atë dhjetor, për tërheqjen nga PD. Po vërtet, pse ndodhi kjo? Mbase ngaqë ai pa komunistët në krye të Lëvizjes së Dhjetorit: Sali Berishën, Gramoz Pashkon, etj. (A thua, vetë nuk vinte nga një familje puro komuniste.) Apo, thjesht fare, z. Rama ‘u zhgënjye’ ngase nuk e mori ‘komandën’ (kupto ‘timonin’) qysh atëherë? Edhe meqë u zhgënjye ai, meqë në këtë Tranzicion të zgjatur ka pasur shumë probleme ekonomike, politike dhe sociale, hajde ta hedhim poshtë Dhjetorin, studentët, PD-në e kështu me radhë… Ja kjo është ‘historia’ e historisë sonë. Ne jemi apo duam të jemi të ndëshkuar me vetëshkatërrim. Pse duhet të merret nëpër këmbë ‘Lëvizja e Dhjetorit’ e studentëve? Pse duhet ta tregojmë historinë ashtu siç na pëlqen ne tre a katër vetëve që nuk nginjemi me pushtet apo edhe disave që duan thjesht protagonizëm në gazetari, por që në fakt nuk do ta kenë asnjëherë? I thoni gjërat siç ndodhën. Po. Nuk mund të mohoni rolin e udhëheqësit të fundit komunist Ramiz Alia, që nga halli apo për vetë natyrën e tij, realizoi një ndërrim pushtetesh pa luftë civilie, pa gjakderdhje. Nuk mund të hedhësh poshtë as rolin e Skënder Gjinushit në zbutjen e konflikteve të ashpra të atyre ditëve përmes propozimit për ‘heqjen e emrit të Hoxhës’ nga Universiteti i Tiranës, ndërkohë që studentët, minatorët dhe PD dalëngadalë po merrnin në dorë fatet e vendit. Aktorët në atë ‘dramë’ ishin të ndryshëm. Ani. E vërteta është e thjeshtë; s’ka nevojë për zbukurime, as për përbaltje. Ndërroi sistemi, u fitua liria e lëvizjes, e besimit, e kahjes politike, morën tjetër pamje biznesi dhe ekonomia, jeta u ngjyros ndryshe. Sot gjysma e popullsisë është në emigracion. Ka shumë njerëz që jetojnë më mirë, kanë pasur shansin të ndryshojnë veten dhe të tjerët, sikundër ka shtresa që nuk e gjetën veten në këtë sistem të ri. Fjala Tranzicion, për shumë arsye, e kjo është tjetër gjë, u ka ngecur në fyt shqiptarëve. Por të besosh se gjithçka do të shkonte si në vaj, është njësoj sikur të besoje që Socializmi do të lumturonte njerëzit; (kurse ai u dha atyre një jetë të vështirë, në shumë raste me fat e dinjitet, por në të tjera me mundime të rënda). Nuk ka më keq se sa të jetosh në mënyrë të gënjeshtërt. Arritja është arritje. Problemi është problem. Thoni të vërtetën!