Vangjush Saro: “Lufta dhe Paqja’ e inicialeve…

407
Sigal

Çfarë i mban peng shqiptarët?

Vangjush Saro

 Po bëhen muaj të tërë që qeveria e z. Edi Rama mbahet fort pas ca inicialeve, me gjasë institucione, që ‘do ta shpëtonin’ vendin nga korrupsioni dhe krimi… Në konferenca të fryra çfarë nuk është thënë; madje jo vetëm gjatë këtij mandati e gjatë kësaj qeverisjeje, por që në krye të herës, kur Shqipëria kalonte situata të vështira; nga viti ’91 te viti ’97, ’98 etj. Do luftojmë atë dhe këtë, vullneti i sovranit ashtu dhe kështu… Dokrra! Megjithatë, është kaq e dukshme, në këtë mandat qeverisës, inicialet u bënë fishekzjarrë; bam e bum nga të katër anët. Një ndër të fundit, që flakëriu e flakërin me madhështi nëpër qiellin gri të Tiranës, ishte KÇK-ja. Në udhë e sipër, ishin edhe disa iniciale të tjera; ato veç bëjnë gati ‘luftën’, të thuash ti, shpëtoi njëherë e mirë Shqipëria… Por kakofonia vazhdon. Ministri i Rendit është shprehur se ky ligj (kush e mban mend cili) plotëson dhe ‘disa boshllëqe që do të plotësojë kjo paketë Anti-KÇK’. (“Për të mbuluar edhe boshllëkun e SPAK, BKH, ne kërkojmë të adresojmë dhe zgjidhim këtë problem. Ka dy qasje, e para të dekurajojë krimin, kokat e krimit që kanë komoditetin për të bërë më shumë krime, dhe të fuqizojë instrumentet e luftës ndaj tyre.”) Me fjalime, gjithnjë kemi qenë mirë ne, problemi është te lufta e vërtetë. “Vlera shtrihet pikërisht në gjysmën e udhës mes trimërisë dhe burracakërisë.” (M. Cervantes) Kur Kryeministri Edi Rama prezantonte këtë ‘ligjin special’ për KÇK-në, do të thoshte pak a shumë që “të fortëve dhe gjykatësve e prokurorëve të korruptuar do t’iu kërkohet të provojnë burimin e pasurisë së tyre.” Pastaj ai do të vazhdonte më tej me të tjera iniciale, duke thënë se do të ngrihej “një Taskë-Forcë, OFL, që do të godasë dhe sekuestrojë këto pasuri”. A ka më të tjera iniciale? A kishte nga ato, më e pakta, nëse pas tërmetit të fundit ndokush mund të përgjigjej? Nuk është kuptuar asnjëherë pse zyrtarët e lartë të vendit gjithnjë ngatërrohen nëpër iniciale dhe vonohen e zvarriten me këtë luftën kundër korrupsionit dhe të korruptuarve. Tre dekada mbushur me llafe, përgojime, iniciale… Fol e bërtit, në konferenca e në shtyp; për çudi, situata mbetet po ajo. Por ndërkaq, është kuptuar që shpesh herë, zhurma është bërë për të shpëtuar veten dhe klanin. Fundja, “Çfarë dallimi bën, nëse e bërtitura është e fortë apo e paktë?” (S. Beckett) Vërtet! Edhe pa bërë shumë zhurmë, edhe pa u ngatërruar nëpër iniciale e institucione pa fund, që taksapaguesit e shkretë do t’i vuajnë gjatë, ashtu si shumë ‘reforma’ të tjera, kjo e shkretë luftë kundër korrupsionit dhe të korruptuarve i ka pasur të gjitha gjasat të luftohet. Pak javë më parë në shtyp thuhej se SPAK kishte vënë në fokusin e hetimeve një grup trafikantësh droge… Qytetarët me të drejtë pyesin: Për kaq gjë u bë gjithë kjo zhurmë? Kushedi sa herë janë artikuluar edhe më parë këto termat Task-Forcë, Antikorrupsion, Antikrim e ku di ç’tjetër, drejtori dhe institucione që zhvatin buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit dhe që, tek e fundit, aty kanë qenë e mund të vepronin edhe pa u ‘shpikur’ njësi të tjera taksa gëlltitëse dhe iniciale të tjera që me gjasë ‘bien erë luftë’… Po me vitin ’97 do të merret kjo luftë? Po me vitin ’98? Po me Gërdecin? Po me 21 janarin? Po me kullat dhe ndërtimet, ato që ranë dhe ato që nuk ‘kanë ndër mend të bien’? Po me PPP-të? Qeverisja te ne kuptohet si rast për të përfituar dhe për të goditur kundërshtarët; është vërtetuar që herët. Edhe Kryeministri ynë i nderuar, nga njëra anë thotë që jeta “është e shkurtër për gam-gam” dhe nga ana tjetër s’lë gur pa lëvizur për të goditur e vënë në pozita të pafavorshme kundërshtarët politikë dhe ata në medie. Kështu që i bie të jemi në një shfaqje kakofonie me iniciale, në njëlloj show për publik e për t’i bërë qejfin Perëndimit. (“Ka një pafundësi shpresash në këtë univers… por ato nuk janë për ne.” F. Kafka). Më në fund, unë dua të pyes lexuesit: A dini gjë, çfarë bëhet në Slloveni? Ashtu kot e përmenda, sa për të kujtuar ndonjë tjetër vend të vogël; (se ka që thonë: ‘Luajnë me ne, se jemi vend i vogël’). E përmenda, gjithashtu, meqë edhe ai shtet gjendet në një pozitë mjaft strategjike, për çdolloj biznesi e shkëmbimi; sepse thonë (për ne gjithnjë) që fajin e ka ‘pozicioni gjeografik i Shqipërisë’. Kështu mund të kërkoja edhe shumë e shumë argumente e hamendje të tjera, pa fund. Por nuk do të zgjidhja asgjë. Në të vërtetë, e ceka edhe më lart, te ne, është një traditë e tërë me grindje e mospajtime, me mercenarizëm e urrejtje, me qasje në interesa të vogla për hir të fisit e të klanit, një traditë e një model që duhet parë në sy, duhet pranuar, për t’u lënë në histori njëherë e përgjithmonë. Këtë nuk e bëjnë dot inicialet… Kjo kërkon një reformë mbi të gjitha reformat; por nuk di e s’mund ta them dot se në cilin brez do të bëhet.