Vangjush Saro: Larg duart nga Diaspora!

53
Sigal

Hapja e lojës politike nëpër botë, tash duke thirrur në votim edhe emigrantët, ka qenë dhe mbetet një ndërmarrje delikate, me shumë ngarkesa nga e djeshmja, asnjëherë e qartë (dhe e pastër). Më duket se shpesh flamuri i atdhetarizmit, në vend që të nderohet, përdhoset. (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve”. S. Xhonson)

Me përpjekjet për ta përfshirë Diasporën në zgjedhje, druaj se ajo po përdoret. (Ende) nuk po them se “po poshtërohet”; por jemi aty afër. Hapja e lojës politike nëpër botë, tash duke thirrur në votim edhe emigrantët, ka qenë dhe mbetet një ndërmarrje delikate, me shumë ngarkesa nga e djeshmja, asnjëherë e qartë (dhe e pastër). Më duket se shpesh flamuri i atdhetarizmit, në vend që të nderohet, përdhoset. (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve”. S. Xhonson) Megjithatë, jemi përpara faktit të kryer; mirë a keq, procesi i regjistrimit të emigrantëve për të votuar, ka filluar. Mitingjet (nuk bëjmë dot pa to) gjithashtu. Por duket se asgjë të re nuk ka në gjithë këtë stërmundim.

Parantesë. Në këtë shënim, nuk do të gjeni detaje që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe problemet e tjera të këtij “aksioni” që mëton të përfshijë Diasporën në zgjedhjet e 11 majit. Në këto radhë, bëhet fjalë për etikën politike dhe qasjen politike, ndërkohë që forcat e interesuara po përpiqen të marrin jo vetëm zgjedhës, por edhe meritën për realizimin e kësaj dëshire që, pa e paragjykuar, është e tillë edhe për politikën, edhe për një pjesë të mirë të Diasporës.

Ani. Pikësëpari, po përsëris idenë – e shprehur edhe më parë – se nuk ka sens të votosh dy herë, të zgjedhësh dy herë, të zgjidhesh dy herë, të kërkosh llogari nga dy shtete, nga dy qeveri, vetëm e vetëm se kështu mund të ndihmohen disa qarqe politike. Pra, nëse emigranti, tash qytetari i shtetit X ka dokumentet dhe kushtet përkatëse dhe perspektiva e tij është kjo, jetesa në këtë shtet, ai vetë nuk duhet të jetë i interesuar posaçërisht dhe nuk ka pse të bëhet figurant i farsave politike, viktimë e fiksimeve politike, prodhime të një prapambetjeje që në këto kohë tranzicioni nuk e hoqëm dot qafe.

Besoj, edhe shtetet ku aplikohet Sistemi i Demokracisë, nuk lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve të “deleguara” dhe krijimin e formateve zgjedhore të dyfishta; dhe me të drejtë. Ndryshon puna me ata që ende nuk janë sistemuar, nuk kanë dokumente përfundimtare, po përpiqen për këtë. Kjo pjesë e emigrantëve po, sigurisht që duhet të përfshihet në proces. Por shumica mendokërka ndryshe; e s’mund të diktojmë edhe për çfarë u fol më lart. Çështja është nëse do ta drejtojë, apo do ta devijojë pjesëmarrja e Diasporës këtë proces.

Në këtë pikë të bisedës, kujtojmë se drejtuesve të partive politike shqiptare u është hapur keq oreksi për vizita e mitingje, ku mëtojnë të bëjnë për vete aq sa munden. Mirë është të saktësohen disa episode të kësaj teme, që kanë të bëjnë me ligje, rregulla e kufizime për aktivitete politike nga jashtë, sidomos në ShBA dhe Kanada, rregulla e ligje që me sa po duket, shkelen sikur te ishte fjala për tubime në ndonjë katund të Shqipërisë. (“Kur je në Romë, bëj si romanët.” Servantes) Nuk po flasim për shpenzime udhëtimi, lobimi, e të tjera; janë çështje të cilave politikanët tanë ua kanë marrë dorën, dinë të manovrojnë, sepse ende askush nuk i “manovron” ata.

Kam përshtypjen se ndërsa kjo garë (mitingjesh) mund të vazhdojë, nuk se ka kthjellim në Diasporë; përkundrazi, ajo konfuzohet edhe më shumë. Ndërkohë, duke qëlluar valencën e fenomenit, eksportohen problemet dhe sherret e “atdhetarshme” në vendet respektive, duke krijuar atmosferë jo të mirë, në radhë të parë për ata që janë më të ekulibruar ose për brezat e rinj. Do të uroja me sinqeritet që ata të mos bëhen pre e lojërave me shqiptarët, sikundër ka ndodhur në dekada të tëra me prindërit e tyre të agjituar. Shpresoj që brezat e rinj të tregojnë qytetari dhe t’i japin politikës aq vëmendje sa ajo meriton, jo më shumë.

Po përpiqem të shpjegoj më poshtë pse ngulmoj në nevojën e kësaj etike, përndryshe të një qasjeje tjetër te politika. Mendoj se mashtrimet, përfitimet, përdorimi, shtirja, e të tjera këso, janë histori të vjetra në jetën e shqiptarëve, brenda apo jashtë vendit. Mbaj mend, fëmijë, në Korçë, në lagjen tonë, vinin shpesh “amerikanët”, domethënë emigrantët shqiptarë që jetonin në SHBA. Shumë prej tyre ishin të organizuar në shoqata dhe flisnin për atdhetarizëm, disa vizita të tyre i mbështeste shteti. Ata ishin me shtetin, po them me Partinë e Punës. Pastaj, kur ra ai shtet dhe ajo parti, “këta” u bënë kundër shtetit dhe kundër asaj partie, madje filluan të artikulojnë mëritë e tyre për atë shtet dhe për atë parti. (Besoj që këtu më lart nuk kishte asnjë lojë fjalësh apo kalambur.)

Kohët kanë ndryshuar, por njerëzit jo dhe aq. Gjithsesi, nëse u jepet mundësia të flasin me emigrantët, politikanët lipset të jenë pak më të përmbajtur sesa në atdhe, apo sesa më parë… Mbase në diasporë nuk vlejnë fjalët e mëdha e premtimet e përsëritura; bëhet fjalë për tjetër kulturë e qasje në punët e politikës. Dhe ngaqë është e vështirë t’u drejtohen njerëzve me argumente, me arritje, me fakte, ata bëjnë thjesht propagandë politike, madje partiake; gjysma e së keqes edhe kaq, nëse… nuk flasin kodra pas bregut. Në çdo rast, ata vdesin të shiten sa më të mirë; por ashtu e “vizatojnë” edhe Diasporën, duke e lyer me komplimente, që ajo “ka në dorë fatet e atdheut, të demokracisë,” etj.

Në disa takime të politikanëve jashtë vendit, transferohen ethet e takimeve elektorale në Shqipëri. Dhe ngaqë protagonistët duan me doemos vëmendje dhe qasje, temat shkojnë e vijnë sipas ëndrrave që mund të kenë partitë apo individët. Bie fjala, në takimin e zhvilluar në Toronto, një nga krerët e PS, z. Balla, deklaroi goja plot: “Shqipëria do hyjë e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.” Tani, meqë s’gjendesha atje (dhe s’gjendem askund ku bërtasin politikanët shqiptarë) pyetja ime e parë është: Kujt do t’ia kalojë Shqipëria me këtë rast? Pra, çfarë ka parasysh eksponenti i lartë i kësaj partie me termin Ballkani Perëndimor: Maqedoninë e Veriut? Malin e Zi? Serbinë (që s’e ka mendjen për atje) apo Kosovën? Dhe pyetja e dytë: Bën pjesë Kroacia në Ballkanin Perëndimor? E them këtë, sepse ajo ka hyrë në BE tash sa vjet; pra, qenkej i zënë vendi i parë (!)

Do të doja ta kisha shmangur retorikën në këto radhë; por ligjëratat dhe emocionet gjithnjë përzihen. Gjithsesi, mendoj se mësymja e politikanëve në Diasporë është një gjë e fëlliqur, sikundër edhe në Shqipëri. Ata flasin – siç u tha edhe më lart – pa argumente dhe duke ngatërruar parimet e harruara me ëndrrat politike; ata thjesht lançojnë për turp liderët respektivë, trazojnë njerëzit, premtojnë atë që s’e kanë në dorë, grishin mërgimtarët të marrin njërin krah, ndërkohë që Shqipëria, e vetme, e lodhur, e zhgënjyer, pret atje tej pa le se ç’do të shkëlqejë pas 11 majit…!