Vangjel Tavo: Mjaft më me propagandë! Qeveria të mbrojë shëndetin e qytetarëve

398
Sigal

Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo përmes një deklarate për mediat komentoi situatën e pandemisë Covid 19. Sipas tij më shumë se sa menaxhim i situatës pati propagandë të dalë boje, ndërkohë që virusi shpërtheu kryesisht nëpër spitale, të cilat u bënë vatra kryesore e përhapjes së virusit.
Tavo i bën thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe të mbrojë jetën e shqiptarëve.

Propaganda se qeveria po e përballon më së miri dhe se Shqipëria ka arritur sukses të jashtëzakonshëm është e rremë. Dhe këtë e dinë më mirë se kushdo stafi mjekësor që prej muajsh punon në frontin e parë pa mjetet e duhura mbrojtëse, por edhe shqiptarët dhe mospërputhja e shifrave të të infektuarve të shpallura nga qeveria. Sot, në dalje nga pandemia, rastet e deklaruara janë shumë herë më të larta se sa në pikun e saj. Në pikun e saj më 2 prill, kemi pasur 27 dhe kemi arritur të kemi deri në 90 raste. Qeveria refuzoi të bënte testim të gjerë ndërkohë që OBSh apelonte për sa më shumë testime. Refuzuan të aktivizonin mjekun e familjes. Refuzuan te vinin në përdorim e të blinin në masë mjetet mbrojtëse”,– tha Tavo.

Ai shtoi se për shkak të këtij menaxhimi të keq e të papërgjegjshëm, lajmet që na vinë nga personeli mjekësor janë njëri më i dhimbshëm se tjetri.

Qytetarët e thjeshtë që në fillimin e kësaj beteje u sollën në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Duruan madje edhe kufizime ekstreme të panevojshme. Toleruan akte normative anti-kushtetuese të nxjerra nga qeveria apo urdhra nga facebook-u i kryeministrit.
Por në mungesë të plotë transparence dhe profesionalizmi qeveria ka lejuar shtimin e rrezikshmërisë ndaj qytetarëve shëndetit publik. Dhjetëra sugjerime u janë dërguar këtij kryeministri, me të gjitha mënyrat e mundshme, me të gjitha mundësitë e   komunikimit, nga këto foltore, nga mundësi të tjera komunikimi, pa u lodhur, dhjetëra propozime dhe sugjerime konstruktive profesionale në emër të ndërgjegjes shoqërore, në emër të profesioneve, të gjitha të refuzuara. E gjithë situata është menaxhuar politikisht dhe jo profesionalisht. Specialistët u lanë në hije ndërsa propagandistët me papërgjegjshmëri venë në rrezik jetën e qytetarëve”,- tha ish-deputeti i LSI.

Ai shtoi se qeveria duhet të marrë masa sa më parë. “Në këtë situatë alarmante i apeloj Ministrisë së Shëndetësisë të organizojë në gjendje gatishmërie jo vetëm stafin mjekësor aktiv por edhe ata mjekë dhe infermierë në pension e madje edhe studentët e viteve të fundit të mjekësisë, të dëgjojë rekomandimet e specialistëve, të ndërtojë bashkë me ta një stretegji solide në përputhje me direktivat e OBSh, të shtojë numrin e testimeve, pasi mungesa e transparencës dhe neglizhenca në mos bërjen e testeve rrezikon jetën e qytetarëve, dhe të sigurojë të gjitha pajisjet mbrojtëse për bluzat e bardha, të cilët kanë qenë e do mbeten gjithmonë heronjtë e heshtur të këtij vendi. Lëreni propagandën e konsumuar e dalë boje dhe politikat me regji por mbroni jetën e shqiptarëve. Mbroni shëndetin publik. Mbroni vendin. Tani dhe menjëherë”.- tha ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo.