Vangjel Tavo: LSI fitoi pasi mbart filozofi europiane, ka si fokus qytetarin

406
Bashkitë e Gjirokastrës, Dropullit dhe e Libohovës shuan rezultatet më të mira për LSI, madje, me mbështetjen e LSI, atje fitoi kandidatja e ASHE. Në të 3 këto bashki është edhe zona elektorale e deputetit të LSI Vangjel Tavo, i cili në intervistën për gazetën “Telegraf” duke shpjeguar çelësin e fitores së LSI në këto zgjedhje, shpjegon se “LSI është një parti dinamike e cila si motorr të ecjes së saj ka rininë, barazinë gjinore, ofrimin e shanseve të barabarta, zhvillimin, dhe sigurimin e më shumë shërbim dhe punësim për qytetarët në mbarë vendin”. Sipas deputetit Tavo, fitoja e LSI në 21 qershor, do të shërbejë si një pikënisje e re, për të ardhmen e ndritur të LSI si forcë politike me filozofi europiane dhe se mbi gjithçka, siç pohon deputeti Vnagje Tavo për “Telegraf”, LSI do të respektojë me përpikmëri kontratën politike dhe sociale që ka me të gjithë qytetarët shqiptarë. 
-Zoti Tavo, realisht, e fituara e zgjedhjeve të 21 qershorit është LSI, e cila është e vetmja parti parlamentare që dyfishoi votat në shkallë vendi, kur ndërkohë edhe PS edhe PD kanë humbur mbi 15-20 % të elektoratit. Pse LSI dyfishoi votbesimin e elektoratit shqiptar?
-Zgjedhjet e 21 qershorit ishin një fitore e madhe e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Zgjedhjet ishin vendore, ndaj së pari ishte një votë për administratorët e bashkisë, por absolutisht ishin edhe një votë për aleancën e Majtë, e cila mori një përqindje shumë të lartë të bashkive në vend. Tashmë 75% e bashkive të Shqipërisë do drejtohen nga ASHE. Lëvizja Socialiste për Integrim pati një rezultat spektakolar në këto zgjedhje duke fituar shumë bashki me kandidatë të LSI; kontribuoi me votat dhe mbështetjen e saj në fitoren e padiskutueshme të kandiatëve të PS, të cilët bazuar mbi respektimin dinjitoz të paktit politik të aleancës sonë me PS arritën rezultate shumë të mira; rezultoi forcë e parë politike në disa qarqe dhe bashki; si edhe shtoi dukshëm mbështetjen e saj dhe numrin e votuesve në rang kombëtar. Shumë natyrshëm shtrohet pyetja se përse ky rezultat kaq i mirë për LSI, dhe sigurisht përgjigja është e qartë dhe e thjeshtë – sepse LSI mbart një filozofi europiane, ka si fokus qytetarin dhe i shërben atij sa më mirë, synon për më shumë shërbim dhe punësim për të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe dita ditës po shtohet mbështetja jashtëzakonisht e madhe e të rinjve dhe të rejave të këtij vendi. 
– Po cili është shpjegimi juaj përse partitë e tjera paten ulje në rezultatin e tyre?
– Unë jam deputet i LSI dhe jam krenar për rezultatin në qarkun e Gjirokastrës, ku LSI doli forcë e parë me 22.1% Shrytëzoj rastin të falenderoj edhe një herë të gjithë banorët e bashkisë dhe qarkut të Gjirokastrës për këtë mbështetje dhe besim që patën tek LSI. Katër vite më parë LSI kishte një numër simbolik mbështetësish, ndërsa tani jemi forcë e parë në qark. Kjo dëshmon besimin që kanë qytetarët dhe banorët e fshatrave por edhe misionin e qartë që ka LSI në politikat e saj në shërbim të njerëzve dhe vendit. PS dhe PD do bëjnë analizat e tyre post-zgjedhore dhe do arrijnë në konkluzionet e tyre, sikurse edhe LSI do i bëjë një analizë të detajuar të gjitha rezultateve në çdo bashki dhe qark në mënyrë që fitorja e sotme të shërbejë edhe për sukseset e padiskutuara të së ardhmes. 
– Duke analizuar rezultatet në bashkitë ku humbën kandidatët për kryebashiakë të LSI shikojmë që votat për këshilltarë janë shumë herë më shumë se votat për kryebashkiakë, në favor të partive të koalicionit të ASHE. Ju si e shpjegoni atëhere humbjen e kandidatit të LSI për kryebashkiak?
– LSI ka një sërë vlerash dhe atributesh, të cilat janë të dukshme dhe të qarta për çdo shqiptar, për të cilat votohet dhe mbështetet kaq masivisht. Një ndër vlerat dhe parimet e saj është besnikëria politike dhe respektimi me përpikmëri i marrëveshjeve politike. Sikurse edhe në të shkuarën edhe në këto zgjedhje LSI dëshmoi, faktoi, dhe vërtetoi që mbështetja e saj ndaj kandidatëve të propozuar nga PS ishte maksimale dhe me rezultate të suksesshme për këto kandidatë. LSI e ka konsideruar gjithmonë të rëndësishme kontratën politike, pasi përbën për të esencën e integritetit të saj. Për këtë arsye LSI do ndërmarrë një analizë të hollë dhe të detajuar për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. LSI është një parti progresive dhe moderne. Mbështetja e madhe, e cila po shtohet dita-ditës është si rrjedhojë e vlerësimeve dhe analizave tona që ne bëjmë për të lexuar votën e shqiptarëve. Çdo votë e dhënë, apo e munguar, na shtyn për të ecur më përpara, sikurse edhe për të përmirësuar të ardhmen e partisë dhe vendit. 
– Në fakt, rezultatet zgjedhore në Qarkun e Gjirokastrës, në zonën tuaj elektorale, në bashkitë e Gjirokastrës, Dropullit, Libohovës, LSI ka rritjen më të madhe, se kudo. Cilët janë faktorët politikë, që LSI këtu është rritur ndjeshëm?
– Banorët e qarkut të Gjirokastrës, të cilët, si ata që na votuan si ata që nuk na votuan, unë nuk mund t’i referohem ndryshe, përveçse me respekt dhe konisderatë të thellë. Unë kam patur privilegjin t’i shërbej prej shumë mandatesh si deputet dhe them pa asnjë mëdyshje që me banorët e kësaj zone kam një lidhje shpirtërore dhe miqësi të thellë, pasi çmoj vlerat e mëdha që ata kanë. Dhe një nga vlerat që dua të përmend është mbështetja ndaj të resë, progresit dhe dëshirës për zhvillim. Kjo u pa në fitoren e madhe të Zamira Ramit, në Bashkinë Gjirokastër, në fitoren në Libohovë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme në Dropull. LSI është një parti dinamike e cila si motorr të ecjes së saj ka rininë, barazinë gjinore, ofrimin e shanseve të barabarta, zhvillimin, dhe sigurimin e më shumë shërbim dhe punësim për qytetarët në mbarë vendin. Zgjedhjet lokale kanë një sërë faktorësh që ndikojnë në rezultat, ndaj dua të përmend kandidaturat tejet serioze dhe të duhura që ne kishim, programet konkrete, disiplina partiake, bashkëpunimi i ngushtë si aleancë e majtë, dhe padyshim mbështetja e qartë që na dhanë qytetarët dhe fshatarët, dhe besimi i tyre tek LSI si forca që përfaqëson më mirë zërin e tyre në këshillin bashkiak.
– Cili është mesazhi që dhanë votuesit për LSI në këto zgedhje?
– Brenda pak viteve, nga një parti modeste në Gjirokastër LSI u bë forcë e parë e qarkut. Kjo dëshmon për vlerat e LSI dhe zgjuarsinë e gjirokastritëve për votën e tyre. Mesazhi i votuesve ishte i mëse i qartë. Ata votuan kandidatët më të mirë, besuan në programet tona, dhe treguan shumë qartë besimin që me LSI duhet të ecet në të ardhmen, dhe që i takon të bëhet zëri i qytetarëve jo vetëm në këshillat bashkiakë por edhe të jetë forca politike që të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të qarkut të Gjirokastrës. 
– Duke u mbështetur në rezultatet e 21 qershorit dhe konfirmimi që LSI e dyfishoi elektoratin e saj dhe është vetëm 8 % elektorat larg PS, a duhet që ky kontribut të reflektohet edhe në përqindjen respektive që duhet të ketë LSI në pushtetin qëndror?
– Në një vend demokratik sovraniteti i takon vetëm njerëzve të thjeshtë. Verdikti i tyre u dha me 21 qershor për kryetarët e 61 bashkive në mbarë vendin. Zgjedhjet vendore kanë natyrë të ndryshme nga ato parlamentare, ndaj nuk kanë lidhje me përfaqësimin në qeverinë qendrore. Siç e përmenda më lartë, LSI është një parti me shumë vlera dhe atribute, dhe një prej tyre është respektimi i marrëveshjeve dhe kontratave politike dhe sociale, ndaj ajo do respektojë me përpikmëri kontratën politike që ka me PS në qeverisjen qendrore dhe me kontratën sociale që ka me të gjithë qytetarët shqiptarë. 
Sigal