Vangjel Tavo: Gara ishte e pabarabartë

234
Sigal

Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen tuaj, për ju që besuat në mua jo vetëm në këto zgjedhje, por që nga fillimi i jetës sime politike. Ju kam shërbyer me të gjithë zemër dhe kjo ka qenë kënaqësia më e madhe në jetën time publike. Siç jeni dëshmitarë, kjo betejë që sapo kaloi ishte në kushte tërësisht të pabarabarta. Ky nuk është aspak justifikim por një fakt dhe një realitet që u pa dhe nga vetë ju. Në këto kushte të pabarabarta rrjedhimisht fitorja elektorale ishte e vështirë për t’u arritur. Shpreh mirënjohjen time të thellë njerëzore dhe personale për të gjithë ju mijëra banorë që më votuat, për të gjithë ju të rinj e të reja që besuat në mua, ju emigrantë që erdhët për të votuar pavarësisht masave anti-kushtetuese dhe diskriminuese të vëna ndaj jush. Jam krenar dhe mirënjohës për të gjithë ekipin e kandidatëve dhe strukturave të partisë, për komisionerët dhe numëruesit, për familjet e thjeshta që besuan në planin tim për të shuar varfërinë e skajshme që ka prekur qarkun tonë, miqtë dhe dashamirësit, dhe mbi të gjitha për familjet time e cila më është gjendur pranë gjithmonë duke qenë forca dhe mbështetja ime në çdo hap e çdo frymëmarrje. Qarku i Gjirokastrës është trevë e mrekullueshme dhe meriton shumë e më shumë nga gjendja që është sot, meriton mirëqenie dhe zhvillim. Dhe familjet e thjeshta meritojnë një jetë dhe të ardhme më të mirë. Njeriu nuk humbet kurrë kur tashmë ka dhënë gjithçka në shërbim të të tjerëve ndaj për këtë do jem gjithmonë fitimtar sepse kam dhënë zemrën dhe energjitë e mia për banorët e qarkut të Gjirokastrës.