Valixhja “biskotë”,Trump merr zyrtarisht kodet e bombave bërthamore

467
Donald Trump, tashmë zyrtarisht President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nga sot autoritetin e vetëm dhe të jashtëzakonshëm për të urdhëruar një sulm bërthamor. Një ndihmës i panjohur ushtarak është parë sot teksa shoqëronte presidentin në ceremoninë e dorëzimit të pushtetit në Capitol Hill në Uashington. Ky ushtar mbante me vete një valixhe, brenda së cilës gjenden pjesë të një pajisjeje dixhitale, e njohur ndryshe në zhargonin e ushtrisë amerikane, si “biskota”. Kjo pajisje përmban të gjitha kodet për një sulm strategjik nuklear. Ndërkohë që larg syrit të publikut, presidentit të ri do t’i shpjegohet mënyra e aktivizimit.
Tani që Trump bëri betimin atij do t’i “ngarkohen” armët më vdekjeprurëse. Dhe që prej momentit të betimit, Presidenti i SHBA-ve ka autoritetin për të përdorur kodet.
NGA KOMANDA TEK SULMI 
Urdhëri për lëshimin e një bombe bërthamore është autoritet i Presidentit të SHBA-ve, por deri në marrjen e vendimit kalohet në një zinxhir komandash, ku të përfshirë janë zyrtarët më të lartë si Sekretari i Mbrojtjes. Megjithatë është Presidenti i SHBA-ve ai që e jep urdhrin dhe Sekretari i Mbrojtjes është i detyruar me kushtetutë ta përmbushë.
Në teori, Sekretari mund të refuzojë ta zbatojë në rast se ai dyshon mbi shëndetin mendor të presidentit, por nëse arsyeja konsiderohet si refuzim, atëhere kjo çon më pas në pushim nga puna.
Sapo presidenti zgjedh midis opsioneve të tij të sulmit, urdhri kalon përmes kryetarit të Shefave të Përbashkët të Stafit të dhomës së luftës në Pentagon dhe më pas, me anë të kodeve të vulosura, i kalohet Komandës Strategjike në bazën ajrore në Nebraska. Urdhri për të hapur zjarr i transmetohet më pas ekipeve të lëshimit.
ARMATURA BËRTHAMORE
Armatura më e fuqishme në histori përmban aq fuqi bërthamore sa për të shkatërruar ndërtesa në një zonë me perimetër prej 48,269 km, masë më e madhe se sa perimetri i planetit.
Një qytet si Londra mund të shkatërrohet plotësisht nga një bombë e vetme megaton, ku do të mund të vriteshin një masë prej 647 milion personash. Radioaktiviteti i saj potencialisht mund t’i japë fund të gjithë jetës në Tokë.
Megjithatë Trump nuk duket se ka gjasa ta përdorë këtë armë të fuqishme, pasi gjatë fushatës ai shpesh është shprehur kundër përdorimit të armëve bërthamore. Si komandant në detyrë i Forcave të Armatosura, ai do të jetë në krye të ushtrisë më të madhe në botë, një totali prej 1.4 milionë trupash aktivë.
Presidenti i ri gjithashtu do të ketë një buxhet prej 473.3 miliard paundësh në dispozicion të tij, deri tani më i larti në botë. Trump gjithashtu do të ketë në gadishmëri 13.444 avionë luftarakë si dhe 415 anije.
Sigal