Vaksinimi me AstraZeneca, mësuesja-Ramës: Mos bëhet ndonjë dëshmor i 5-të

280
Sigal

Nisi sot nga 6 shkollat e para të Tiranës, vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve me vaksinën e AstraZeneca, kundër Covid-19.

Por në një kohë që ka disa ditë që në vendet e Bashkimit Europian mediat shkruajnë mbi efektet e padëshiruara që kjo vaksinë ka shkaktuar te pacientët që janë vaksinuar, dyshimet tek arsimtarët kanë qenë të shumta.
Këtë e vuri në dukje edhe shefja e departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, e cila tha se i kishte sqaruar mësuesit se kjo vaksinë është e sigurt.

“Bashkë folëm, kishin dyshimet e veta por që është tepër e sigurt”, tha ajo.

Ndërkohë kryeministri Rama sqaroi se pezullimi në disa shtete i përdorimit të kësaj vaksine ka ardhur vetëm për një seri të caktuar të prodhuar, për të verifikuar cfarë ka ndodhur me ato pak raste ku ka pasur dhe efekte fatale në jetën e të vaksinuarve.

“Kjo na ka ardhur nga Suedia. Sot lexova deklaratën e drejtorit të ISHP italiane që thoshte se është e gjitha një alarm fals bazuar në asnjë fakt, s’ka asnjë të dhënë që këto raste janë të lidhura me vaksinën e pezullimi i një serie është bërë për të pasur garanci 100% e për të parë nga cfarë ka ardhur. Mos u shqetësoni nuk ka mundësi që të vijojë qarkullimi i vaksinës nëse do kishte probleme.

Seria jonë ka ardhur nga Suedia e në Britani ata kanë bërë miliona vaksina AstraZeneca e s’kanë pasur asnjë problem. Janë pezulluar në disa vende seri të vecanta për të bërë një verifikim”.

Në një replikë me një mësuese, Rama tregoi pse ishte zgjedhur e para shkolla “4 Dëshmorët” për të nisur me vaksinimet e mësuesve

Mësuesja: Me fat që na zgjodhët ne të parët

Rama: E di pse? Se quhet “4 Dëshmorët”

Mësuesja: Mos bëhet ndonjë i pestë

Rama: Mos ki merak s’ka problem

“Tani ne jemi afër një lajmi të madh tani edhe pak ditë besoj që do sjellim një sasi tjetër të konsiderueshme e pastaj sfisa jote me ministren në krye do jetë vaksino vaksino që ta thyejmë sa më shumë zinxhirin e infektimit para sezonit të verës, të nisim intensivisht me të moshuarit, të vazhdojmë me gjithë pjesën tjetër polici ushtri ata që kanë ndërveprim
ata me sëmundje kronike e të nxjerrim përfundimisht pensionistët nga izolimi”, i tha Rama, Silva Binos.