Urim Gjata: Ju zoti Majko, po gënjeni dhe të tjerët dhe vetveten

786
Sigal

Vallë kaq budallenj na bëjnë këta njerëz dhe duhet që ne emigrantët t’i besojmë dhe t’i votojmë përsëri e përsëri!? Dhe me gjithë respektin personal për ju z. Ministër, nuk mundem t’i bashkohem një mashtrimi me emrin “Samit i Diasporës”. Të gënjesh të tjerët është profesion, të gënjesh vetveten është mëkat. Ju po gënjeni dhe të tjerët dhe vetveten. Të kujtohesh për diasporën 80 000 vota që morët me 2013 vetëm nga emigrantët në Greqi, para fushatave elektorale është pafytyrësi, djallëzi, dhe paskrupullës (një propagandë si Enveri dikur në kongreset e PPSH, me partitë komuniste në botë ). Të harxhosh qindra milionë kot së koti nga buxheti i shtetit, në një kohë kur qindra e mijëra familje ngrysen dhe gdhihen pa bukë, është krim. Ju e mashtruat me 10 premtimet tuaja, duke i vjedhur votën emigracionin shqiptar, sidomos atë në Greqi. Dhe nga gjithë premtimet mbajtët vetëm akomodimin e drejtuesve tuaj të degëve të “rilindjes” në Greqi, të cilët mashtruan emigrantët me premtimet tuaja boshe, duke mbushur përfaqësitë diplomatike atje, por dhe në vendet pikante në administratën shqiptare. Qeveritaret e Ramës dhe vetë Rama sillen akoma me emigrantët sikur janë akoma në opozitë dhe jo prej gjashtë vitesh në qeveri. Premtimet në Selanik, më 1.11.2014:

Së pari, duhet të marrë fund diskriminimi i votës së emigrantëve, të cilët nuk duhet të lëvizin më nga shtetet ku ata jetojnë për të shprehur vullnetin e tyre për qeverinë që drejton vendin amë. Emigrantët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, në shtetet ku ata jetojnë” (premtim i harruar).

Së dyti, qeveria socialiste duhet të zgjidhë problematikën e pensioneve te emigranteve. Gjithë këto vite punë në emigracion nuk mund të shumëzohen me zero, kur emigrantet do rikthehen në atdhe, ne do ta bëjmë realitet njohjen e kontributeve tuaja shoqërore në Greqi përmes një marrëveshjeje, e cila tashmë ka “përfunduar”. (Akoma as nuk kanë filluar negociatat me palën greke).

Së treti, “Shërbimi diplomatik”. Ne do t’ia heqim nga duart miqve dhe familjarëve të kryeministrit, ministrave apo deputetëve. “Shërbimi diplomatik” do të vihet në funksion të emigrantëve” dhe kush mund ta bëjë këtë më mirë se ju, që e njihni emigracionin, askush”. (Asnjë lëvizje Stafi i shërbimit diplomatik është mbushur me drejtuesit e degëve të PS në Greqi)!?

Së katërti, ulja e tarifave konsullore, mashtrimi tjetër i Ramës me emigrantët, emigrantet paguajnë dyfish këto tarifa në përfaqësitë diplomatike.

Së pesti, ne duhet të zgjidhim problematikën e toponimeve dhe sinjalet janë shumë pozitive nga diskutimet me qeverinë greke. … (çështja akoma jo e plotë, madje edhe e pafilluar) !?

Së gjashti, “TVSH 2” do të kthehet nga një mjet mediatik edukues për fëmijët e emigrantëve, duke ndërtuar një program që promovon kulturën, traditën dhe historinë e Shqipërisë, në mënyrë që fëmijët tuaj të ruajnë identitetin kombëtar”. (Asnjë sinjal, madje tani TVSH-ja është kanali më i pa frekuentuar nga emigrantët)!?

Së shtati, u premtua për të kontribuar në mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Greqi, duke biseduar me qeverinë greke që në shkollat greke mbas ditëve të bëheshin kurset e gjuhës shqipe, por nuk u çua as edhe një libër atje.

Së teti, hapja e një qendre kulturore për emigrantët shqiptare në Greqi, gjë që veç premtim-mashtrimit, nuk u realizua kurrë.

Vallë kaq budallenj na bëjnë këta njerëz dhe duhet që ne emigrantët t’i besojmë dhe t’i votojmë përsëri, Më mirë e cilësonit “Kongresi i “rilindjes” për diasporën.