Udhëzimet për 16 Marsin/ Opozita konifrmon një numër rekord në protestën e së shtunës. Basha pritet nga mijëra qytetarë në Kamëz e Paskuqan duke konfirmuar Mziun, ndërkohë që kandidati i majtë dërgon sms për punësime në këmbim të votës

332

Mziu konfirmohet kandidati i PD-së për bashkinë e Kamzës. Basha: Model i qeverisjes


Jakup B. GJOÇA

Basha: Duam një kryeministër të mendojë për mirëqenien dhe punësimin e njerëzve

Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua me banorët e Paskuqanit. U njoh me përmirësimet e infrastrukturës, të bëra në këto 4 vite nga bashkia e Kamzës, ku drejton kryebashkiaku Xhelal Mziu, dhe në këtë kontrast, përmendi edhe premtimet elektorale të kryeministrit Rama. Basha: Premtimet e pa mbajtura të Edi Ramës flasin vetë. Ju të gjithë e dini fare mirë se ky njeri premtimet i bëri lumë dhe nuk mbajti asnjë prej tyre, për një arsye të vetme: sepse pushtetin e tij nuk e ka lidhur me fjalën, me besën, me premtimet e qytetarit. Ai e ka lidhur pushtetin e tij me ndihmën e kriminelëve dhe oligarkëve që vjedhin nga mëngjesi deri në darkë, që pasurohen me taksat tuaja. Ata pasurohen, populli varfërohet. Ata jetojnë në luks, Edi Rama jeton në luks dhe bredh në gjithë botën me charter, populli nuk ka lek të blejë biletën e autobusit. Ndryshimi që ne kërkojmë për Shqipërinë është i njëjtë si ndryshimi që ju doni për familjet tuaja. Duam një kryeministër dhe një qeveri që të ketë objektiv numër një: mirëqenien dhe punësimin e njerëzve.

Ndryshimin e keni në dorë tek vota

Basha, tregoi edhe rrugët sesi mund të bëhet ky ndryshim. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Basha: Ndryshimi që ne kërkojmë për Shqipërinë është i njëjtë si ndryshimi që ju doni për familjet tuaja. Ju doni që kryefamiljarët të mbajnë përgjegjësi para fëmijëve, para familjarëve dhe ne duam që së bashku të kemi një qeveri që mban përgjegjësi para njerëzve, një kryeministër që po nuk i mbajti premtimet, largohet. Një kryeministër dhe një qeveri që të kujdeset për më të pamundurit dhe të ketë objektiv numër 1: Mirëqenien dhe punësimin e njerëzve. Shqipëria i ka mundësitë të zhvillohet e të krijojë mirëqenie.

Ja udhëzimet e Bashës për protestën e 16 marsit

Protesta e 16 marsit ka qenë në fokusin e diskutimit të kryesisë së PD-së në mbledhjen e djeshme. Kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë porosinë me anëtarët e kryesisë, por edhe më vonë me krerët e degëve nëpër rrethe që të mblidhen sa më shumë protestues më 16 mars përpara Kryeministrisë. “Largimi i Ramës çështje e emergjencës kombëtare, në vend nuk ka normalitet, për Ramën asnjë minutë qetësi. Shqipëri me Parlament monoparti dhe kriminelë dhe qeveri të kapur me krimin, ne nuk pranojmë.”-ka thënë Basha. Opozita ka shpallur aksionin e radhës protestës e 16 marsit. Për këtë kryedemokrati Basha ka miratuar një udhëzim të posaçëm, ku sipas këtij udhëzimi, kryetari i Degës dhe të deleguarit e Kryesisë së PDSH-së, janë përgjegjës për organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve dhe anëtarëve të partisë, për pjesëmarrjen e tyre në protestën e madhe të datës 16 mars 2019, ora 11.00, në Tiranë. “Kryetari i Degës njofton të Deleguarin për orën dhe datën e mbledhjes së Kryesisë. Kryesia e Degës dhe të deleguarit, diskutojnë: Përgatitja për pjesëmarrje në protestën e madhe më 16 mars; Organizimi i punës për takimet derë më derë në nivel seksioni dhe grup-seksioni dhe format e përshtatshme për të ftuar dhe siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe qytetarëve të tjerë në protestën në Tiranë, apo në protestat lokale; Ndarja e të Deleguarve dhe anëtarëve të Kryesisë së Degës në zonë; Për këtë qëllim hartohet dhe ndiqet një kalendar i qartë pune dhe takimesh; Parashikimi i pjesëmarrjes në nivel grup-seksioni dhe në nivel Dege, si dhe të merren masa për evidentimin e pjesëmarrjes me qëllim vlerësimin e kontributeve. Raportimi i parë më datë 10 mars 2019 brenda orës 17.00. Në datë 14.03.2019 brenda orës 19.00, bëhet raportimi final për pjesëmarrjen dhe nevojat objektive për ndihmë nga degët”, thuhet në udhëzim.

Basha, kryetari i PD-së: Xhelal Mziu, njeriu që mban fjalën e dhënë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, propozimin e kandidatëve për kryebashkiak e filloi nga Bashkia e Kamzës, pikërisht, andej, ku kryebashkiaku Xhelal Mziu është më i suksesshmi, por edhe pse mazhoranca e di, që këtë bashki e ka të humbur, në çdo zgjedhje vendore që mund të bëhen. Kreu i PD, Lulzim Basha takoi dhe bizneset e zonës dhe qytetarët duke ecur për më shumë se 2 km deri në Babrru. Në fjalën e tij, kreu i PD Lulzim Basha konfirmoi në një farë mënyre Xhelal Mziun për një tjetër mandat. Basha tha –“ Herën e fundit këpucët u mbushën me pluhur dhe baltë por sot rrugët janë ndërtuar i pashë me sytë e mi, janë ndërtuar të gjithë rrugët lidhëse dhe këtu në këtë qendër historike në Babrru, ku për herë të parë në 30 vite po shikoni çfarë mund të bëj një pushtetar që e jep fjalën dhe e mban fjalën ju tha që do të ju ndërtoj rrugët dhe i ndërtoi. Edhe njëherë dua të falënderoj një njeri që ka mbajtur fjalën para jush dhe para meje me punën e përditshme në këto javë muaj e vite që i besuat mandatin e bashkisë. Akoma ka shumë halle por jam i sigurt që kur t’i bashkojmë forcat pushteti lokal me Xhelal Mziun dhe pushteti qendror me një qeveri që do ti përgjigjet halleve, ndryshimi pozitiv do të ndihet. Por duhet të fitojmë betejën më 16 mars”- u shpreh Basha.

Deputeti socialist Rakip Suli u dërgon SMS mësuesve për fushatën elektorale

Deputeti socialist Rakip Suli, me mesazhe kërkon që t’u zgjidhë “problemet” mësuesve, dhe njerëzve, kur shteti, administrata publike nuk ua zgjidh, kur drejtuesit e institucioneve marrin nëpërkëmbë të drejtat e qytetarëve. Deputeti socialist Rakip Suli, nuk përpiqet që njerëzit të gjejnë drejtësi në bazë të ligjit, të nxjerrë përgjegjësitë e atyre drejtuesve që i shpërfillin shqetësimet dhe hallet e njerëzve, por u zotohet, se do të futet ai si “dorëzënë” tek institucionet shtetërore, tek drejtuesit, do të ndikojë me autoritetin e tij si deputet, që t’u plotësojë dëshirat njerëzve, por në këmbim të këtij “nderi” deputeti Suli u kërkon njerëzve hallexhinj, që ata të votojnë për partinë e tyre. Një mësues, i cili jep orën e fizkulturës në një shkollë në Kamëz, ka kontaktuar me televizionin Fax news dhe ka publikuar mesazhet e shkëmbyera me deputetit e PS në qarkun e Tiranës, Rakip Suli.

Denoncimi i mësuesit për mesazhet e deputetit Rakip Suli

Mësuesi o shkollës së Kamzës Ervil Dervishi ka dorëzuar komunikimin që ka patur në ‘Facebook’ me Rakip Sulin, deputet i Partisë Socialiste. Sipas këtyre mesazheve, Suli kërkon nga mësuesi që të angazhohet në fushatë për kandidaturën e tij dhe më pas do të marrë emërimin si mësues i brendshëm në shkollën ku jep aktualisht mësim si mësues i jashtëm. “Përshëndetje, unë kam një denoncim të fortë dhe dua ta bej këtu te ju sepse këta l…nat e Rilindjes mavi e kanë filluar blerjen e votave që tani me vende pune po ta harrojnë Rakip Suli dhe Rilindja se ka me fitu. Unë nuk e kam problem postojeni dhe emrin tim dhe çdo gjë. Jam Ervil Dervishi profesor fizkulture në Kamëz. Kam 1 vit që jam shpërngulur nga Pogradeci dhe kam filluar profesor fizkulture ( i jashtëm), por E. Ç., nuk ma jep emërimin si profesor i brendshëm se do lekë”, thotë Dervishi. Deputeti Suli e ka uruar i pari Dervishin për ditën e 7 Marsit, ndërkohë që mësuesi e pyet se nga e ka di se çfarë profesioni ai ka. “Emrin tuaj ma dha Ermioni nga lista e mësuesve në qytetin e Kamzës. Doja t’ju uroja dhe shpresoj dhe besoj që ju jeni vendimtar në garën time në Kamëz bashkë me kolegët”, i përgjigjet me mesazh deputeti socialist Rakip Suli.