Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Përmes një mesazhi, presidenti Begaj i ka përcjellë urimet e tij kryeparlamentares së re. Bajram Begaj uron gjithashtu mbarësi për punën e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
“Punime të mbara Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën X! Urime, znj. Albulena Haxhiu, për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit!”, shprehet Presidenti Begaj në mesazhin e tij.
Kreu i shtetit shqiptar thekson mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën dhe institucionet e saj.
“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit Euroatlantik!”, thuhet më tej në reagim.
Zgjedhja e Haxhiut në krye të Kuvendit u bë gjatë seancës konstituive të legjislaturës së re, duke i hapur rrugë funksionalizimit të plotë të institucionit dhe hapave të mëtejshëm për formimin e Qeverisë.
Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar kryetaren e re të Parlamentit, Albulena Haxhiun dhe nënkryetarët për zgjedhjen e tyre në postet përkatëse.
Osmani shprehet se Haxhiu do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.
Osmani shpreson që kjo legjislaturë të dallohet ‘për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës‘.
“Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë.
Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.
Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.
Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!
Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!”, shkruan Osmani.



















