U rendit e fundit në listën e Tiranës, Brisida Shehaj zbulon arsyet: Betejë nga televizori s’ka, kjo është prova ime personale

450
Sigal

Nënkryetarja e LSI-së për Tiranën, Brisida Shehaj, e ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ka zbuluar të gjitha arsyet se pse ka vendosur që të jetë e 36, pra e fundit në listën e kandidatëve për deputetë në kryeqytet.

Shehaj tha se ajo kërkonte që të provonte forcat, dhe nuk do një mandat për hatër, që të jetë pjesë e Kuvendit. Duke qenë se listat janë gjysmë të hapura, qytetarët kanë mundësi që të votojnë për emrin e kandidatit që është në listë, dhe në këtë mënyrë tha Shehaj, ajo vetë do të testohet nëse socialistët e duan apo jo që të jetë pjesë e Kuvendit.

“Kur flitet për politikë, flitet për negociata për gjëra të nëndeshme. Unë nuk kam qenë kurrë një njeri që pëlqeja komoditetin, do të ishte e pandershme nga ana ime që të kisha emrin në një vend të sigurt në listë. Ne morëm lista të hapura, dhe shqiptarët kanë mundësinë sot që të vendosin për emrin e deputetit, kjo është një provë personale për mua, nuk mund të kisha unë një vend të sigurt, pa u provuar nëse njerëzit më mbështesnin.

A mendon ti se unë e kisha të vështirë që të isha e 5 e 6, unë nuk dua mandat për karrigen time, e vendosa veten e 36-ta në listë. Nuk jam provuar politikisht, nuk mund të dalë përpara Monika Kryemadhit, Petrit Vasilit apo Përparim Spahiut që e kanë fituar vetë një mandat nga qytetarët, prandaj vendosa dhe kërkova që të isha e 36-ta.

Kjo është beteja ime! Ata të tjerët që do të bëjnë atë listë kanë 8 vite që nuk u shërbejnë socialistëve, partia nuk është sigla por janë njerëzit. Unë nuk njoh asnjë drejtues që të kenë kaluar shkallët e socialistëve, unë jam kjo që jam, në jetë çdo gjë e kam luftuar dhe fituar vetë, edhe atë punën arkëtare jam bërë vetë, edhe drejtoreshë jam bërë vetë.

Kjo është një betejë, unë jam aty për të bërë betejën, jam aty për të mbledhur bashkë socialistët, boll më lista të sigurta kryetarësh, atë që Rama nuk e pranoi, ne do ta sfidojmë. Edhe në rast se do ta humbas këtë betejë, e di që kam luftuar deri në minutat e fundit, betejë nga televizori nuk ka”, tha Shehaj.