U dorëzua në Burksel raporti për ecurinë e 12 kritereve të statusit kandidat

442
Sigal

Krerët e diplomacisë shqiptare dorëzuan dje në Bruksel raportin mbi ecurinë për plotësimin e kritereve të Bashkimit Evropian, duke marrë një vlerësim paraprak nga KE- ja. Drejtori për Zgjerimin e Përgjithshëm në Këshillin Evropian, Stefan Sanino, është shprehur se deri më tani ecuria drejt Evropës është pozitive. “Që prej nëntorit, kur le të themi një frymë e re nisi të funksionojë në vend, e në të vërtetë kur shohim 12 prioritetet e se çfarë është zbatuar ndër ato 12 prioritete kyçe, balanca është ekstremisht e mirë, ekstremisht pozitive. Dhe jo vetëm qeveria, por të gjitha partitë, të gjithë aktorët politikë në vend, dhe shoqëria në tërësi mund të gëzohen për çfarë është arritur deri këtu”,- tha Sanino. Ajo që shihet si e rëndësishme për të përfunduar çështjet mbi rregulloren e Parlamentit, mbetet edhe çështja e imunitetit. Sipas ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti imuniteti do të hiqet nëpërmjet referendumit nëse nuk voton opozita. “Ka disa alternativa në vend për të shtyrë përpara ligjin për heqjen e imunitetit. Siç e dini, maxhoranca ka propozuar edhe një referendum kombëtar, i cili po ashtu është një mjet demokratik në mënyrë që të vijohet përpara. Pra, unë nuk shoh ndonjë mosmarrëveshje. Ata e shohin në mënyra të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se palët nuk janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin, e për të vendosur masa më të rrepta për të kontrolluar më mire”,- deklaroi ai. Ndërsa sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, imuniteti duhet të hiqet sa më shpejt, ndërsa ndryshimet e tjera kushtetuese kanë kohë. “Tani ne nuk kemi më kohë të mjaftueshme t’i hyjmë debatit të ndryshimeve kushtetuese gjatë shtatorit. Heqja e imunitetit është diçka që po e mbajmë si propozim që prej vitit 2003. Ndërsa ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë mund të diskutohen më vonë”,- tha ajo. Ndërsa sipas Saninos imuniteti duhet hequr, por mënyra më e mirë është që kjo gjë të bëhet në bashkëpunim mes palëve.