Tushaj: Bashkia e Lezhës asnjëherë nuk ka bërë investime elektorale dhe nuk do të bëjë asnjëherë

416
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të lagjes SMT. 
Në këtë takim, z. Tushaj shoqërohej nga Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli , dhe deputetët e qarkut të Lezhës, si znj. Monika Kryemadhi, z. Arben Ndoka dhe z. Gjovalin Kadeli.
Gjatë takimit, kandidati i përbashkët i ASHE-së, z. Viktor Tushaj u ndal më konkretisht tek problematikat që ata kanë. 
“Shumë shpejt pas dy apo tre ditësh do të fillojë gjithë infrastruktura e kësaj rrugës së lagjes së SMT-së që është shumë e rëndësishme. Por që dua t’ju garantoj se nuk është investim elektoral. Bashkia e Lezhës asnjëherë nuk ka bërë investime elektorale dhe nuk do të bëjë absolutisht asnjëherë”, theksoi z. Tushaj.
Deputetja Monika Kryemadhi vlerësoi se Viktor Tushaj është alternativa e duhur, me vizion strategjik për zhvillimin e sigurtë të Lezhës. 
“Do të kërkoja nga ju që në datën 21 qershor të votojmë për Viktorin sepse kemi nevojë për një njeri i cili të kujdeset për rrugët, për ujin, për trotuaret, për shkollat, për kopshtet për çerdhet dhe për çdo gjë. Kemi nevojë për Viktorin sepse kemi nevojë për një administrator të zotë. Këtë mandat Viktori do të bëjë më shumë sepse qeveria qendrore është në krah të Viktorit. Ka një kryeministër i cili përgjigjet në çdo moment. Ka dhe një parlament, që shumica e tij do ta përkrahë dhe do ta mbështesë me votën e tij përsa i përket projekteve madhore për qytetin e Lezhës”, tha znj. Kryemadhi. 
Mbështetjen për kandidatin Viktor Tushaj, për zgjedhjet vendore të 21 qershorit e kërkoi edhe Ministrja Mimi Kodheli. “Viktori është njeriu i duhur të cilin ne do ta mbështesim fort, jo vetëm sot, jo vetëm për datën 21 , por sot dhe për katër vitet e ardhshme. Lezha duhet të largohet nga lista e varfërisë. Lezha me gjithë rrethinat dhe me gjithë popullin e jashtëzakonshëm të saj meriton shumë më tepër se kaq”, u shpreh znj. Kodheli. 
Mbështetje për kandidatin e ASHE-së, z. Viktor Tushaj e dhanë dhe dy deputetët e qarkut të Lezhës, z. Gjovalin Kadeli dhe z. Arben Ndoka.
“Jemi katër deputetë në mbështetje të Viktor Tushës për ta administruar Bashkinë e Lezhës në të ardhmen”, tha z. Kadeli. “Do të marrë përgjegjësi dhe do të meritojë besimin që do t’i jepni më 21 qershor për të qenë i pranishëm me investime, ashtu si në të gjitha lagjet e tjera të qyteti”, theksoi z. Ndoka.
Më herët, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Viktor Tushaj u takua dhe me banorë të lagjes “Nënë Tereza”, e cila krahas rritjes demografike, vitet e fundit ka njohur zhvillime të dukshme. 
“Investimet infrastrukturore apo edhe përmirësimi i shërbimeve publike kanë bërë që kjo lagje të performojë ndryshe. Mbështetja e Bashkisë Lezhë dhe qeverisë shqiptare do të vijojë vrullshëm edhe pas datës 22 qershor”, tha z. Tushaj.
“Zhvillimi i bujqësisë në Lezhë dhe në të gjithë territorin e vendit është një ndër synimet kryesore të qeverisë shqiptare”, tha ndër të tjera Zëvendës Ministri i Bujqësisë, z. Alban Zusi.
Ndërkohë z. Tushaj shpalosi para të pranishmëve edhe projektet më të fundit që do të zbatohen në këtë zonë, siç janë: ndërtimi i palestrës dhe një klinikë për diagnostikimin e sëmundjeve infektive.’
Sigal