Turi i dëgjesave të PS-së. Analistët: Rama po gabon, fushata u mbyll pa një program

555
Alma Çuku
Analistët e njohur në vend e konsiderojnë të tepruar turin ë Partisë Socialiste në të gjithë vendin, me qëllimin e vetëm për t’i shpjeguar qytetarëve programin dhe kërkuar prej tyre ndihmë për të pastruar administratën. Të pyetur nga gazeta “Telegraf” se si e konsiderojnë nismën e Ramës për të zhvilluar dëgjesa në të gjithë vendin me qytetarët në një kohë kur fushata sapo u mbyll dhe ai u votua, ata janë pothuaj në të njëjtin mendim. E konsiderojnë veprim të tepruar, një nismë e cila nuk sjell asgjë në këto momente dhe që i ul pikët. Për “Telegraf”, folën analistët Mentor Nazarko, Skënder Minxhozi, Lutfi Dervishi dhe Basir Çollaku. Nazarko u shpreh se në këndvështrimin e PS-së kjo nismë mund të tingëllojë e drejtë, por në atë qytetarë nuk është kështu. Edhe Minxhozi e konsideron tur të habitshëm dhe vështirësisht të shpjegueshëm. Për Lutfi Dervishin, PS të njëjtën gjë bëri edhe në 2013 kur mori mandatin e parë. Ai tha se PS nuk ka pasur asnjëherë program dhe pret që ndoshta këtë herë ta shpalosë në Kuvend. I të njëjti mendimi është edhe analisti Basir Çollaku. Sipas tij Rama po gabon rëndë në këtë tur. Ai tha se kryeministri po bënë gjithçka vetëm për show, pasi në fushatë nuk paraqiti asnjë program, vodhi votat dhe tani kërkon të mbulojë gabimet e tij. 
Partia Socialiste pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, nga ku doli fituese, ka nisur një tur dëgjesash me qytetarët në rrethe. Mendoni se kjo është fushata reale e PS-së? A e pati kohën e mjaftueshme kjo parti për të shpalosur programin e saj në fushatë? 
Mentor Nazarko
“Unë në të vërtetë nuk e kam konsideruar si tur. E para Partia Socialiste mendoj se këtë nismë e ka marrë në kuadër të falënderimeve. Pra me gjasë është në këtë kuadër. E dyta mund të jetë dhe një dëgjesë për të riorganizuar administratën. Por ka dhe një ide të tretë. Partia Socialiste kërkon t’u thotë votuesve të saj se ju nuk na u deshët vetëm për të marrë votat. E katërta mund të jetë edhe një ballafaqim dhe një përpjekje për të nderuar ata që kanë punuar. Partitë të gjitha kanë shqetësimin e pas zgjedhjeve, atë se çfarë mund të ndodhë. Këto janë arsye që lidhen me të thëna. Por unë nga ana ime kam një vërejtje. Partia Socialiste kishte para fushatën, fushatën dhe tani iu desh pasfushata për të dëgjuar qytetarët? Unë imagjinoj që partitë kanë pasur programe dhe ai të jetë dëgjuar në katër vite të qeverisjes. Atëherë për mua, nëse partitë do të dalin për dëgjesa tani në pasfushatë, nuk ka asnjë kuptim. Kanë një lloj inkoherence nga këndvështrimi i opinionit publik, ndërsa nga kuptimi i PS-së merr një tjetër kuptim. Ajo thotë se, me anë të këtij turi jam duke falënderuar qytetarët që më votuan. Sipas mendimit tim kërkon t’i japë idenë se do dëgjojnë qytetarët në të gjithë nivelet, prefekture, Bashki dhe në nivel më të ulët. Pra me pak fjalë, nga këndvështrimi i Partisë Socialiste duket e arsyeshme një dëgjesë e tillë, ndërsa nga ai i opinionit publik merr tjetër kuptim”. 
Skënder Minxhozi
Turi i dëgjesave i PS me qytetarët shënon një fenomen disi të habitshëm dhe vështirësisht të shpjegueshëm në aspektin politik dhe elektoral. Fushata zgjedhore sapo u mbyll, Rama fitoi vetëm dhe qartë një mandat të dytë qeverisës, me një listë tezash të cilat u bënë mëse të qarta për qytetarët që votuan. Drejtimi vetëm i ekzekutivit, bashkëpunimi me opozitën për reformat e mëdha, zbërthimi i këtyre të fundit në takimet me zgjedhësit, e ardhmja e integrimit evropian, ndërtimi i një administrate të pastruar nga tarafet dhe korrupsioni – të gjitha këto u shpjeguan në mënyrë të përsëritur nga kreu i shumicës gjatë ditëve të fushatës zgjedhore.
Për pasojë dalja në një tur të dytë shpjegues, kur sapo ka mbaruar një i tillë, duke i zënë vendin sezonit veror dhe largimit nga politika që ai sjell me vete, tingëllon si diçka e sforcuar dhe e panevojshme. Aq më shumë forcohet kjo përshtypje kur sheh reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët i kujtojnë me të drejtë kryeministrit Rama se ai tashmë duhet t’i dijë se cilat janë prioritetet, hallet dhe problemet e vendit.
Lutfi Dervishi
“Edhe në prag të nisjes së mandatit të parë qeverisës, PS organizoi nisma të ngjashme si; denonconi ndërtimet e paligjshme, dërgoni CV për në administratë etj. 
Përtej vlerës së lajmit ditët e para nismat kanë mbetur në kujtesë. Edhe sot, ajo që media po bën është marrja me këtë temë jo temë. PS nuk ka pasur program në fushatë. Të shohim kur të paraqesë programin në Kuvend”
Basir Çollaku
“Rama ka ngatërruar datën e zgjedhjeve dhe mendon se është ende në fushatë elektorale. I gjendur fresk pa program, i cili duhej të ishte debatuar e prezantuar qytetareve ai i është rikthyer barsoletave digjitale. KM kishte kohë të shumtë ta shfrytëzonte për një program serioz për të ndryshuar modelin e gënjeshtrave të mandatit të shkuar. Ai erdhi në fushatë deri me 25 qershor pa bilanc, pa llogaridhënie dhe befasisht dukej sikur u kërkonte llogari qytetarëve, aleatëve dhe opozitës se ata se paskan lënë të bëjë mrekulli në qeverisje. Ky teatër vazhdoi edhe gjatë fushatës dhe tashmë është bërë tragjikomik tek rend nëpër Shqipëri duke bërë gjoja dëgjesa, thua më herët ka pasur probleme me dëgjimin ose s’ka dashur të dëgjojë askënd. Por kjo ka sjellë një të mirë. Qytetarët po i shkruajnë për korrupsionin marramendës dhe denoncojnë me emra konkret mitmarrjen e ministrave të tij, së paku këto info mbase Rama ua dërgon ekipeve të vetingut që t’ia marrin ata në duar për të bërë drejtësi. Unë nuk kam besim se KM do ndryshojë apo përmirësojë sadopak qeverisjen. Jo. Vetëm do ta përkeqësojë duke e çuar nga 56 ne 66 apo 76 për qind numrin e shqiptarëve që duan të ikin nga Shqipëria. Krimi dhe oligarkia kanë marrë peng mazhorancën dhe s’kanë ndërmend ta lëshojnë me gjithë qokat e sheqerosura të ndërkombëtarëve…”
Sigal