Trump, ligj për mbylljen e Lotarisë Amerikane

575
Presidenti mbështet nismën e dy senatorëve republikanë për të kufizuar emigracionin e ligjshëm
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe dy senatorë republikanë njoftuan se kanë propozuar një ligj të ri që do të pakësonte emigracionin e ligjshëm. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara për dekada kanë “funksionuar me emigrantë me një nivel kualifikimi të ulët”. Sistemi i ri që propozohet do të vepronte si një sistem i bazuar në pikë, që do të merrte parasysh aftësitë e aplikantëve për të folur anglisht dhe mundësitë për të përballuar jetën në Amerikë, kur bëhet fjala për të aplikuar për “Kartën e Gjelbërt”. “Ligji tregon dhembshurinë tonë për familjet amerikane që përpiqen çdo ditë”, tha Trump. “I vendos nevojat e tyre dhe Amerikën në plan të parë “, shtoi ai. Presidenti Trump tha se ligji ka për qëllim të mbrojë “punëtorët e pakicave që konkurrojnë për vende pune ndaj atyre që sapo vijnë në Amerikë” dhe “do t’u japë atyre një ngritje page, duke pakësuar numrin e punëtorëve të pakualifikuar që hyjnë në SHBA”. Më parë këtë vit, senatorët Tom Cotton dhe David Perdue paraqitën projektligjin që do të shkurtonte imigrimin e ligjshëm nga 1 milion, në 500 mijë njerëz çdo vit. Projektligji, i cili nuk ka kaluar në Senat, gjithashtu kërkon kufizim të pranimit të anëtarëve të familjes së emigrantëve, duke i dhënë fund programit të lotarisë dhe duke e bërë më të vështirë procesin e marrjes së “Kartës së Gjelbër”. Cotton tha se vetëm një në 15 emigrantë vjen në Amerikë për shkak të aftësive të tij dhe se frenimi i imigracionit të personave që kanë kualifikim të ulët, do t’i ndihmonte punëtorët amerikanë të arrinin një standard më të lartë jetese, si dhe do të mbështeste rritjen e përgjithshme ekonomike. Presidenti Trump është takuar dy herë me senatorët për të diskutuar lidhur me projektligjin, që synon përmbushjen e një prej synimeve kryesore të politikës të tij në reformimin e sistemit të emigracionit të ligjshëm në Amerikë. Lotaria amerikane, e njohur ndryshe si mundësia për të siguruar “Green Card”, ka afro dy dekada e gjysmë që aplikohet edhe për shtetasit shqiptarë, që kur Shqipëria la pas të kaluarën komuniste dhe përqafoi rrugën e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Viti pas viti me mijëra shqiptare dhe familjet e tyre janë bërë fitues të kësaj lotarie dhe kanë nisur një jetë të re në SHBA. Vitet e fundit interesi për Lotarinë Amerikane është rritur ndjeshëm. Në vitet e fundit kanë aplikuar mesatarisht rreth 200 mijë persona nga Shqipëria. Sipas të dhënave, në aplikimet e fundit kanë marrë pjesë mbi 6 milionë persona nga e gjithë bota, por vetëm 50 mijë prej tyre do të kenë fatin të fitojnë “Green Card”.
Sigal